Prishtina e frikshme, por thumbohet nga trajnerët rivalë

221

Prishtina arriti t’i fitojë dy ndeshjet e para të këtij edicioni të Vala Superligës. Fillimisht, në xhiron e parë mposhti Llapin 3:1, kurse sot mundi Lirinë në udhëtim 2:1.

Mirëpo, pavarësisht fitoreve, trajnerët e të dy ekipeve që u mposhtën nga Prishtina, kanë kritikuar lojën e kryeqytetasve, shkruan Gazeta Sheshi.

Fillimisht, “timonieri” i Llapit, Tahir Batatina kishte thënë se mëkat që nuk kishte fituar ekipi i tij para një jave. “Pjesa e parë ishte disi e baraspeshuar edhe pse kishim mundësi të mirë për të kaluar në epërsi, ndërkohë në pjesën e dytë pësuam nga disa gabime që nuk duhej të ndodhnin. Me një fjalë mund të them që ishte mëkat që skuadra e Llapit humbi nga kjo lojë e Prishtinës së super përforcuar”, ishte shprehur Batatina.

Lojën e Prishtinës e kritikoi sot edhe një “ish” i tyre, tani trajner i Lirisë, Ramiz Krasniqi.

“Pati shumë zhagitje në fushë. Nuk i përket Prishtinës të veprojë kësisoj. Përmbi 10 minuta pati zhagitje, kjo nuk i konvenon futbollit”, ishte shprehur Krasniqi.

Kritikat ndaj lojës së Prishtinës nuk dihet nëse janë adresuar nga ana profesionale apo nga fakti që kryeqytetasit kanë dy fitore radhazi.