Poshtërohet United, Klop paqe në Bavari

154

Kriza e Manchester United vijon edhe në Ligën e Europës. Në ndeshjen e vajtjes së 1/16-ave të Champions-it, “djajtë e kuq” bien në fushën e danezëve të Midjulandit.

Sisto dhe Onuaço i përgjigjen Depajit dhe zhysin në kaos 20 herë kampionët e Anglisë që këtë kompeticion e shikojnë si kamerdaren e fundit për të arritur Champions-in.

Edhe pse dështimi në Danimarkë mund të rikuperohet më 25 shkurt në “Old Trafford”, ai hyri në kujtesën e historisë si një prej poshtërimeve më të mëdha të gjigantëve anglezë në Europë. Më parë ishin turpëruar nga Rotor Vollgograd, Olimpiakosi dhe Gallatasaraji. E sikur të mos mjaftojnë rezultatet, Van Gal humbi edhe portierin titullar De Gea gjatë nxehmjes.

Dortmundi – Goli i Pizçekut që në minutën e 6- të dhe Rojsit në të 71-ën vendosën ndeshjen e madhe të këtij raundi mes Borusias së Dortmundit dhe Portos. Në “Dragao” gjermanët i pret një atmosferë e frikshme, por me avantazhin e raundit të parë ata duken të qetë për të prerë biletën në 1/8-at. Sepse ndeshjen jo vetëm që e dominuan, por mund të kishin fituar edhe me një rezultat më të thellë. Raste pa fund dhe Mkhitarianit i thotë jo edhe shtylla.

Totenhemi – Një përmbysje përgjysmë mund të quhet ajo e Fiorentinës, e cila vuan ndaj Totenhemit në pjesën e parë dhe shkojnë në Londër me barazimin 1-1, i cili natyrshëm favorizon Spërsat. Çadli kaloi në avantazh skuadrën e Poketinos në minutën e 37-të nga pika e bardhë e penalltisë. Por italianët u përgjigjën me Bernardeskin në minutën e 59-të me një të majtë fantastike nga distanca, e cila mori edhe elozhet e trajnerit rival në përfundim të aktit të parë në “Artemio Franchi”.

Liverpuli – Në një botë ideale, rikthimi i Jyrgen Klopit në Gjermani duhet të ishte shoqëruar me një festival golash dhe fitore të kollajshme. Qëllimi ishte që Liverpuli ta hiqte qafe Augsburgun që në raundin e parë dhe të mos shpenzohej në “Anfield” të enjten e ardhshme, sepse kështu do të kursenin titullarët, pasi 72 orë më vonë i pret finalja e Kupës së Ligës. Por, pas një nate të vështirë në Bavari, nuk është ky skenari. Në Augsburg patën raste pa fund, por nuk arritën të konkretizojnë.

Të tjerat – Në sfidat e tjera të mbrëmjes as Shahtjor-Shalke nuk prodhoi gol. Belarabi i dhuroi fitoren Leverkusenit në fushën e Sportingut të Lisbonës. Portugezët luajtën në inferioritet numerik prej minutës së 74-ët (i kuq për Semedon). Geri Nevill gjen një tjetër fitore në stolin e Valencias. Dhe çfarë triumfi: 6 gola i shënon Valencia Rapidit të Vjenës, 5 brenda 39 minutave të para. Dopietë e Santi Minës dhe Pareho, Negredo, Gomes dhe Rodrigo vulosën rezultatin tenistik.