Portugalia e Spanja me vështirësi kualifikohen në 1/8 të finales

Portugalia dhe Spanja janë kualifikuar me shumë vështirësi në fazën e 1/8 të finales në Kupën e Botës.

Kampioni i Evropës, Portugalia, ka arritur që të kualifikohet me shumë vështirësi në fazën me eliminim direkt pas barazimit 1:1 me Iranin.

Portugalia shënoi me anë të Ricardo Quaresma në fundin e pjesës së parë, derisa në pjesën e dytë, nga penalltia dështoi Cristiano Ronaldo, duke lëshuar mundësinë për të dyfishuar epërsinë.

Irani arriti që të barazojë rezultatin në minutat shtesë të takimit me golin nga penalltia, rezultat ky që i humbi Portugalisë pozitën e liderit në grup.

Në takimin tjetër, Spanja barazoi 2:2 me Marokun, derisa ishte dy herë në disavantazh.

Spanja me 5 pikë (aq pikë sa ka Portugalia), kualifikohet në fazën tjetër si lider i grupit B falë golaverazhit, kurse Portugalia kualifikohet nga vendi i dytë.