Policia maqedonase arreston vëllain e Bujar Dugollit

130

Ministria e Drejtësisë ka reaguar ndaj arrestimit të shtetasit të Republikës së Kosovës, Gafurr Dugolli, nga autoritetet maqedonase me kërkesë të Republikës së Serbisë nën dyshimin se i njëjti ka kryer krime lufte në territorin e Republikës së Kosovës.

Gafurr Dugolli, vëllai i Bujar Dugollit, është arrestuar duke hyrë në Maqedoni dje, derisa po shkonte në ambasadën amerikane për të marrë vizën amerikane për nevoja personale, transmeton KosovaPress.

Po ashtu, në bazë të këtyre burimeve, Dugolli ishte i kërkuar nga Interpoli me kërkesë të autoriteteve serbe.

“Ministria e Drejtësisë e Republikës sё Kosovës njofton opinionin e gjerë, se Ambasada e Republikës sё Kosovës nё Maqedoni ka pranuar informacionin lidhur me arrestimin e z. Gafurr Dugolli, shtetas i Republikës sё Kosovës ne Republikën e Maqedonisë, sipas kërkesës së autoriteteve Serbe për dyshimin qё tё ketë kryer veprën penale “Krime Lufte” nё territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Siç thuhet në komunikatë, i menjëhershëm ka qenë reagimi i Ministrit tё Drejtësisë sё Republikës sё Kosovës, Hajredin Kuçi i cili fillimisht kishte kontaktuar drejtpërdrejt me homologun e tij nё Maqedoni .

Kuçi, përmes njё shkrese zyrtare i ёshtё drejtuar autoriteteve Maqedone duke theksuar se “Ushtrimi i juridiksionit nga njё gjykatë serbe për krime që pretendohet tё janë kryer nё territorin e Republikës sё Kosovës, pikërisht dhe vetëm per shkak se ato janë kryer nё këtë territor, konsiderojmë se përbën një shkelje tё rënd tё parimeve themelore tё sё drejtës ndërkombëtare, prandaj duke kërkuar ekstradimin nё bazë tё juridiksionit universal lehtësisht mund tё duket si një ndjekje e motivuar politikisht dhe ne shprehim shqetësimin lidhur me aplikimin e normave ndërkombëtare nё këtë proces, sidomos për një gjyqësor tё pavarur dhe tё paanshëm tё shtetit kërkues”.

Gjithashtu nё letrën e ministrit Kuçi thuhet se juridiksioni i supozuar i Serbisë, lidhur me dyshimin e kryerjes sё veprës penale “krime lufte” nё territorin e Republikës sё Kosovës nga shtetasit e Kosovës është i paligjshëm dhe politikisht i papranueshëm dhe pёr këtë arsye, nё interes tё Drejtësisë është apeluar tek Qeveria Maqedone qё rreptësisht tё refuzoj çdo kërkesë për ekstradimin e Dugolli nё Serbi, pёrfundon letrёn e tij Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi. /KosovaPress/

– See more at: http://www.kosovapress.com/sq/nacionale/policia-maqedonase-arreston-vellain-e-bujar-dugollit-per-krime-lu-66710/#sthash.kujotH6R.dpuf