Policia fsheh tabelën e veturës zyrtare

148

Afër vendkalimit kufitar në Bërnjak, të enjten mbrëma është parë një veturë zyrtare e Policisë Kufitare të Kosovës nga Zubin Potoku, e cila kishte vënë një bidon të plastikës me ngjitës në tabela, duke fshehur kështu numrin e targave.

Burime të KosovaPress-it, bëjnë të ditur se në veturën zyrtare ka qenë edhe shefi i Policisë Kufitare në Zubin Potok, kapiteni Zvezdan Spasojeviq.

Sipas këtyre burimeve, njëri nga policët madje ka kërcënuar personin që e ka fotografuar veturën dhe ka dashur ta dënojë me pretekstin se nuk lejohet fotografimi i veturës zyrtare.

“Fshehja e targave të automjetit të policisë ndërlidhet me marrje të ryshfetit nga ana e policëve ndaj qytetarëve, dukuri kjo e theksuar ditët e fundit në veri, me ç’rast për këtë shkak janë suspenduar pesë policë vetëm gjatë dy javëve të fundit”, kanë thënë burimet. /KosovaPress/