Policia e Kosovës kthen një tjetër klub serb në kufi!

Tendenca e ekipeve nga Serbia, në sporte të ndryshme, për të zhvilluar ndeshje me ekipet serbe në Kosovë ka vazhduar edhe sot, kësaj radhe në basketboll.

Klubi i Basketbollit “Trstenik” ka dashur të zhvillojë ndeshje me ekipin e Trepçës (ekip serb në pjesën veriore të Mitrovicës), por Federata e Basketbollit e Kosovës nuk i ka dhënë leje për diçka të tillë. Për këtë arsye, Policia e Kosovës nuk i ka lejuar zyrtarët dhe basketbollistët e ekipit Trstenik të hyjnë në Kosovë dhe ata janë kthyer në pikën kufitare në Jarinje.

Ndërsa, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, për Insportin ka thënë:

“Mund të konfirmojmë se sot në PKK Jarinje, i është refuzuar hyrja në Republikën e Kosovës një klubi të basketbollit nga Serbia. Refuzimi është bërë, pasi të njëjtit nuk kanë pasur leje nga Federata e Basketbollit e Kosovës për zhvillim të ndeshjes në territor të Republikës së Kosovës”.