Pokemon Go, padia e parë për shkelje prone

239

Loja për telefona celularë Pokemon Go është bërë një fenomen global që prej publikimit të saj më 6 korrik. Por, ajo nuk ka vetëm fansa por edhe kundershtare, dhe, për shkak të debatit që e rrethon që prej ditës së parë, ishte e pritshme një padi që nuk ka vonuar.

Padia u bë në SHBA, ku prodhuesit e lojës Pokemon Go janë akuzuar se kanë shkelur në pronë private. Një amerikan, i cili nuk është identifikuar nga mediat, paditi krijuesit e lojës pasi të huaj të shumtë sorrollateshin duke luajtur rreth shtëpisë së tij, brenda pronës së tij dhe disa prej tyre madje i kishin trokitur në derë në kërkim të pokemonëve. Kjo është padia e parë ndaj kompanive Niantic, Nintendo dhe The Pokemon Company dhe sipas mediave qëllimi është që të kthehet në një padi kolektive të cilës t’i bashkohen edhe njerëz të tjerë që kanë dyqane apo palestra virtuale pokemonësh në pronat e tyre.

Padia akuzon prodhuesit e lojës se kanë injoruar plotësisht pasojat e parashikueshme të vendosjes së pokemonëve virtualë në botën reale pa kërkuar lejen e pronarëve. Ndryshe nga shumica e lojërave, Pokemon Go i bën lojtarët që të lëvizin për të gjetur krijesat pokemon dhe këto shpesh janë në vende që nuk e kanë vlerësuar aspak këtë.

Shumë pika referimi në botë, si Parku Memorial i Hiroshimës, kanë kërkuar që të hiqen nga loja. Muzeu i Holokaustit në Uashington i kërkon njerëzve që të mos luajnë aty Pokemon Go, ndërsa autoritetet në ish-kampin e përqendrimit në Aushvic e kanë ndaluar plotësisht këtë lojë.