Përurohet Stadiumi në Kamenicë me vlerë prej 350 mijë eurove

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka vizituar sot Komunën e Kamenicës ku mori pjesë në përurimin e Stadiumit të Komunës së Kamenicës. Gjatë kësaj vizite, ministri Gashi është pritur nga kryetari i kësaj komune Qëndron Kastrati me të cilin nënshkroi dy memorandume bashkëpunimi.

Memorandumet e nënshkruara kanë për qëllim mbështetjen financiare të projekteve: “Rregullimi i Stadiumit të Qytetit të Kamenicës” me 350 mijë euro dhe “Renovimi i Qendrës Rinore në Kamenicë” me 75 mijë euro.

“Memorandumet e nënshkruara me Komunën e Kamenicës vijnë si rezultat i kërkesave dhe nevojave të këtij qyteti në fushën e sportit dhe të rinisë dhe po ashtu edhe i vendosmërisë tonë për të mbështetur projektet të cilat kanë për qëllim plotësimin e kushteve për realizimin e aktiviteteve të ndryshme sportive dhe rinore”, u shpreh ministri Gashi.

Ai po ashtu tha se memorandumi i nënshkruar për Stadiumin i cili u përurua sot u bë me qëllim të avancimit të stadiumit në mënyrë që ky stadium të jetë në shërbim edhe të ekipeve elitare të Kosovës.

/Gazeta Sheshi/