Përkujtohen Mon Balaj dhe Arben Xheladini, të vrarë në protestën e 10 shkurtit 2007 kundër Planit të Ahtisarit

117

Deputetë e aktivistë të VETËVENDOSJE!-s, bashkë me qytetarë të shumtë, shënuan 9 vjetorin e protesës kundër Planit të Ahtisarit të mbajtur më 9 shkurt dhe bënë homazhe tek varri i Mon Balajt në Besianë dhe tek varri i Arben Xheladinit në Prishtinë, si dhe tek pllaka përkujtimore në sheshin kryesor të qytetit.

Më tej, në Kinemanë ABC u shfaq dokumentari që mbulon ngjarjet e protestës së 10 shkurtit, në të cilën policët e UNIMIK-ut vranë dy protestues dhe plagosën me dhjetëra të tjerë.

Pas dokumentarit u zhvillua një diskutim mbi “Pakon e Ahtisarit”, organizimin e protestës së 10 Shkurtit dhe mbi vendimin e “Panelit këshillëdhënës për të drejtat e njeriut” të OKB-së.

“As pas vendimit të Panelit këshillëdhënës për të drejtat e njeriut, që i dha të drejtë protestuesve të 10 Shkurtit, as sot, 9 vite pas, nuk kemi drejtësi për këtë rast. Policët rumunë që vranë Monin dhe Arbenin, përveç që nuk u gjetën e nuk u dënuan, ata u dekoruan në shtetin e tyre”, tha ndër të tjera Sami Kurteshi.

Drejtuesi i Grupit parlamentar të VETËVENDOSJE!-s, Glauk Konjufca, e përshkroi ngjarjen e 10 Shkurtit me 10 teza, ku njëra nga to thoshte: “10 Shkurti e formulon dialektikën mes jetës dhe vdekjes. Ose jeton duke vdekur ose vdes duke jetuar. I pari është dëshmori. I dyti – pluhuri. Njëri bën dritë. Tjetrin e merr era.”