Përballja e dy skuadrave më në formë të Superligës hap siparin e xhiros së 22-të

423

Trepça ’89 dhe Prishtina do të ndeshen në takimin e 59-të zyrtar pas luftës.

Ndeshja zhvillohet të shtunën në “Riza Lushta” nga ora 13:00 dhe është ndeshja e vetme në orar për këtë ditë.

Dy rivalët vijnë me qëllime të ndryshme në këtë edicion, “minatorët” për t’i ikur rënies, ndërsa Prishtina tani më ka kapur hapin për titullin e kampionit.

Por para këtij takimi të dy skuadrat gëzojnë formë të lartë, pasi Prishtina ka 15 ndeshje pa humbje (9 fitore kampionale), kurse Trepça ’89 ka 6 ndeshje pa humbje, prej tyre 3 kampionale.

Në dy ndeshjet e këtij edicioni, skuadrat kanë nga një fitore, Trepça ’89 1-0 në “Riza Lushta” dhe Prishtina 4-2 në “Fadil Vokrri”.

Kapiteni i Trepçës ’89, Muharrem Jashari, ka thënë se skuadra duhet të vazhdojë me rezultate pozitive

“Kemi filluar mirë stinorin pranveror dhe jemi të kënaqur me rezultatet e arritura. Megjithatë, na mbetet ende punë e madhe për të bërë, pasi që kemi ndeshje të vështira”.

“Prishtina është në formë të shkëlqyer dhe do të jetë një ndeshje jashtëzakonisht e vështirë ndaj tyre, me ç’rast presim të zhvillojmë një përballje të fortë. Shpresoj të nxjerrim rezultat pozitiv nga kjo përballje”, ka thënë Jashari.

Në anën tjetër kapiteni i Prishtinës, Lorik Boshnjaku, ka nënvizuar se edhe pse skuadra e tij është kthyer në luftë për titull, ende nuk ka fituar asgjë.

“Na pret ndeshje e fortë dhe normalisht duhet pasur kujdes maksimal, sepse njëjtë si ne edhe Trepça ’89 po kalon në formë të mirë”.


“Duhet të jemi të vëmendshëm dhe të përgatitur të vazhdojmë kështu si jemi, sepse tek e fundit ende s’kemi bërë asgjë vetëm sa e kemi zvogëluar diferencën e pikëve. Shpresojë shumë që do të vazhdojmë me fitore edhe nga ky takim”, ka thënë kapiteni, Lorik Boshnjaku.

Këtë takim do të keni mundësi ta ndiqni minutë pas minute në mënyrë kronologjike nga Gazeta “Sheshi”.

/Gazeta Sheshi/