Pelegrini: Guardiola “na mori në qafë”

132

Manuel Pelegrini ka pranuar se vendimi i Manchester City për të zyrtarizuar afrimin e Pep Guardiolës para fundit të sezonit ka luajtur një rol vendimtar në daljen e Cityt nga gara për titull, pasi lojtarët humbën përqendrimin.

Të shtunën “Qytetarët” fituan ndaj Chelseat dhe siguruan fitoren e tretë rresht në kampionat, përveçse po shkëlqejnë edhe në Champions League, ndaj Pelegrini nuk e fsheh dëshpërimin për distancën e madhe me kreun:

“Më vjen keq, sepse nuk e prisnim të humbnim ndaj Leicesteri dhe Totenhemit në fillim të këtij viti, por ka shumë arsye pse ndodhi”.

“Në fillim të shkurtit doli lajmi i ndërrimit të trajnerit dhe gjithashtu për lojtarë që nuk do të qëndronin këtu sezonin e ardhshëm, ndaj skuadra nuk ishte e qetë dhe nuk e kishte mendjen te futbolli i luajtur. Nuk është e lehtë për lojtarët që të përqendrohen kur çdo ditë lexojnë gazetat dhe shohin që janë në listën e të larguarve për sezonin pasardhës.

“Në shkurt ishim në lojë për çdo trofe, pastaj erdhi ajo tronditje e madhe dhe ndoshta klubi gaboi që zyrtarizoi ndërrimin e trajnerit para kohe”.