Patriotizmi i Tiranës, përgatitet në Serbi

182

24 orë pushim përpara fazës përgatitore në Zllatibor të Serbisë. Tirana mbylli pjesën e parë të përgatitjeve dhe tashmë është gati për të marrë ngarkesën e plotë fizike, në kuadër të sezonit të dy.

Gjatë dy javëve të fundit, skuadra u stërvit në kryeqytet, një zgjedhje e diktuar nga plani stërvitor i stafit teknik, por edhe nga merkato, me klubin që gjatë kësaj periudhe plotësoi kontingjentin.

Trajneri Ilir Daja vendosi që e shtuna të ishte një ditë pushimi për futbollistët, të cilët kishin mundësi të qëndronin pranë familjeve, përpara spostimit të skuadrës në Zllatibor.

Bardheblutë nisen të dielën, pak përpara mesdite drejt zonës perëndimore të Serbisë, në Alpet Dinarike, që cilësohet një vend me kushtet ideale për zhvillimin e përgatitjeve intensive të skuadrës, ku do të zhvillohen edhe disa ndeshje miqësore.

Përpara largimit nga Shqipëria, Tirana ka realizuar disa goditje në merkato, ku në skuadër janë rikthyer portieri Ilion Lika, mbrojtësi Domgjoni dhe mesfushori Afrim Taku, ndërsa janë afruar mesfushori Asion Daja nga Partizani, ish-mbrojtësi i Dinamos, Marvin Turtulli dhe Ansi Nika, mesfushori me tipare sulmuese që sezonin e kaluar u aktivizua me Kukësin.

Përveç blerjeve të reja, bardheblutë kanë rinovuar kontratat me lojtarë si portieri Edvan Bakaj, mbrojtësi Erion Hoxhallari dhe mesfushori Dorian Kërçiku.