Pasi shkëlqeu këtë javë ndaj Young Boysit, ky është premtimi i ri nga Edon Zhegrova

Edon Zhegrova është zotuar se do të bëjë shumë më shumë në të ardhmen, pas një paraqitjeje të shkëlqyer duke shënuar një gol dhe një asist në fitoren e Baselit 3:0 kundër Young Boys të dielën në Superligën e Zvicrës.

Në vetëm paraqitjen e tij të katërt si titullar deri tani këtë sezon në të gjitha garat për Baselin, anësori i Kombëtares së Kosovës Zhegrova u përcoll me duartrokitje të pandërprera nga tifozët e vet kur u zëvendësua në minutën e 76-të.

Asisti i bukur për golin hapës të Baselit dhe më pas goli i tretë i shënuar në stilit të Leo Messit, i cili e fundosi liderin e ligës, si dhe driblimet spektakolare, ishin të mjaftueshme për Zhegrovën të shpallej lojtari i ndeshjes më të madhe në ligën elitare zvicerane, raporton Gazeta Express.

20-vjeçarit i mbaron marrëveshja e huazimit në Basel nga Genku në fund të këtij sezoni. Por ai dëshiron të vazhdojë me Baselin.

“Unë përpiqem t’i shfaq aftësitë e mia dhe t’i ofroj diçka publikut”, tha Zhegrova.

Ai më pas premtoi: “Unë mund të tregoj edhe më shumë”.

Pas ndeshjes, kosovari e shfaqi tërbimin që e kishte ndier si pasojë e refuzimit të Rusisë për ta lënë të futet në vend me pasaportë kosovare për ndeshjen e Baselit kundër Krasnodar.

“Kam dashur të luaj, por nuk munda”, tha Zhegrova. I pyetur përse nuk kishte aplikuar për vizë, ai shtoi: “Nuk kam dashur. Ata e dinë gjendjen”.