Pas kalimit në Bundesligë, Berisha pritet ta kthejë ndikimin e madh që kishte te Kosova

Kalimi te Lazio është dashur të jetë hap shumë i madh para në karrierën e Valon Berishës. Nuk doli i tillë dhe mesfushori i Kosovës ka vendosur për lëvizje tjetër në karrierë. Berisha 26-vjeçar do të vazhdojë në top-liga evropiane.

Të enjten është huazuar për gjashtë muaj nga Lazio e Serie A te Fortuna Duessldorf e Bundesligës gjermane. Berisha ka një synim te skuadra që do të luftojë në pranverë për mbetje në elitën gjermane – të luajë rregullisht dhe kështu të kthejë karrierën në binarët e duhur, shkruan sot Koha Ditore.

Kjo do t’i ndihmonte që të kthejë edhe ndikimin e madh që kishte dikur te përfaqësuesja e Kosovës e që nuk e kishte në ndeshjet e fundit, ndonëse është aktivizuar thuajse rregullisht.

Berisha kishte shkëlqyer te Red Bull Salzburgu, ku luajti rregullisht nga viti 2012 deri në vitin 2018. Falë paraqitjeve të mira kishte siguruar transferim te Lazio në Serie A. Por në kampionatin italian nuk e gjeti veten. Edicionin 2018\19 luajti vetëm tetë ndeshje në Serie A, ndërsa 14 gjithsej.

Pati telashe të shumta me lëndime dhe humbi ritmin e për më tepër edhe besimin prej lideri. Këtë edicion ka vetëm tetë paraqitje, prej tyre katër në Serie A. Dhe ishte koha e fundit që Berisha të ndërrojë mjedis, në tentim për të zënë ritmin me kohë, që në ndeshjet vendimtare të Kosovës të jetë në formën e duhur. Kosova në fund të marsit i luan ndeshjet për kualifikim në Euro 2020.