Paqëndrueshmëria e kampionëve

Kosova po organizon kampionatin e njëzetë të futbollit që nga përfundimi i luftës. Deri më tash ka nxjerrë nëntë kampionë të ndryshëm. Por vetëm tri skuadra kanë arritur që në sezonin pasues të mbrojnë titullin: Prishtina në tri raste të ndryshme, Besa në dy raste dhe Ferronikeli një herë.

Kampionët e tjerë kanë zhgënjyer në sezonet pasuese pas titullit të fituar. Katër xhirot e para japin sinjale se edhe kampionia në fuqi, Drita mund shkojë kësaj rruge, shkruan sot Koha Ditore.

Ajo ka humbur tri nga katër ndeshjet e para të stinorit. Në klubin gjilanas nuk kanë një shpjegim pse po ndodh kjo rënie. Pas humbjes së tretë rresht, trajneri Bekim Isufi u largua nga Drita.

Në klubin Drita kanë pranuar se do ta kenë të vështirë mbrojtjen e titullit. Kryetari i klubit Drita, Valon Murseli nuk di të tregojë arsyet pse ekipi tij nuk po mund të fitojë ndeshjet. Jo vetëm ai, por askush në klub, siç thotë Murseli, nuk e di arsyen e rezultateve të dobëta të fillimit të këtij edicioni.