Papa: Jemi në luftë. ISIS publikon videon e vrasësve të priftit në Francë

209

Papa Françesku paralajmëron se vala e fundit e sulmeve xhihadiste në Europë tregon se bota është në luftë. Megjithatë ai sqaroi se nuk nënkuptonte një luftë fetare, por konflikt për interesa, para e resurse.

Kreu i Selisë së Shenjtë i bëri këto komente në prag të vizitës së tij në Poloni me rastin e ditës botërore të rinisë, duke ju përgjigjur pyetjeve të gazetarëve lidhur me vrasjen e priftit katolik nga xhihadistë francezë të martën.

At Zhak Hamel-it ju pre fyti gjatë meshës së mëngjesit në kishën e tij në Saint-Etienne-du-Rouvray në Normandi. Ky ishte episodi i fundit në serinë e sulmeve që kanë goditur Francën dhe Gjermaninë rishtazi, dhe shumica e tyre u janë faturuar militantëve islamikë.

“Bota është në luftë pasi ajo e ka humbur paqen e saj. Kur them luftë i referohem luftës për interesa, para e resurse, jo besimit. Të gjitha fetë duan paqe, janë të tjerët që duan luftë”, tha Ati i Shenjtë.

Ndërkohë i ashtuquajturi Shteti Islami publikoi një video që tregon dy autorët e vrasjes së priftit francez, teksa i shpallin besnikërinë e tyre grupit. Agresorët flasin në gjuhën arabe dhe i referohen liderit të ISIS-t, Abu Bakr Al Bagdadti.

Më herët u bë e ditur se ata mbaheshin nën vëzhgim nga policia për radikalizëm të mundshëm, madje njëri prej tyre kishte të lidhur në kyçin e këmbës një pajisje përgjimi edhe gjatë kohës së sulmit.

Ky zbulim shtoi edhe më shumë presionin ndaj reagimit të qeverisë socialiste përballë valës së sulmeve të marra përsipër nga ISIS, që prej fillimit të 2015-s.

Ministri i Brendshëm, Bernard Caznev, tha se ishin të hapur ndaj sugjerimeve për të përmirësuar sigurinë në vend dhe njoftoi mobilizimin e 23 mijë forcave policore, të xhandarmërisë, ushtarakë dhe rezervistë për mbrojtjen e Francës që është në nivelin më të lartë të alarmit të regjistruar ndonjëherë.