I biri i Ed Damianos u diagnostikua me sëmundjen e sheqerit në vitin 2000 kur ishte vetëm 11 muajsh. Damiano, një inxhinier i biomjekësisë, vendosi të krijonte një mjet për të ndihmuar djalin e tij dhe miliona të tjerë të menaxhojnë sëmundjet e tyre. Ai i vuri cak vetes që ky mjet të ishte gati në kohën kur i biri do të fillonte studimet.

Rezultatet nga testet mjekësore të bëra me mjetin e tij, një pankreas artificial i lidhur me smartphone, sugjerojnë që mund t’ia arrijë qëllimit.

Një lloj i caktuar i qelizave në pankreas shërbejnë për të matur nivelin e sheqerit në gjak dhe sekretojnë sasinë e nevojshme të insulinës për t’i kontrolluar ato nivele. Diabeti i tipit 1 karakterizohet me vdekjen e këtyre qelizave specifike. Insulina është hormoni që ia mundëson glukozës hyrjen në qeliza, është si një lloj çelësi, aty brenda pastaj shërben si burim i energjisë. Kjo do të thotë se mungesa e balancit të sheqerit në gjak jo vetëm që ia bllokon enëve të gjakut furnizimin me energji por edhe e mban gjakun të stërmbushur me glukozë, gjë që mund t’i dëmtojë indet dhe shpeshherë edhe të shkaktojë komë apo edhe vdekje.

Kjo sëmundje zakonisht shfaqet herët në jetë por mund të menaxhohet duke monitoruar me shumë kujdes nivelet e insulinës në gjak, duke kontrolluar kur dhe çka hahet dhe duke modifikuar aktivitetet fizike. Duhet përdorur edhe pumpa apo injeksione për të marrë insulinë dhe glukagon. Këto dy hormone kryejnë funksione të kundërta, e para e zvogëlon nivelin e glukozës, e dyta e rrit atë, dhe që të dyja janë të nevojshme për të mbajtur nivelin e sheqerit në gjak brenda masave normale.

Një aplikacion ndihmës

Sidoqoftë, procesi i kontrollimit të kësaj sëmundjeje të pashërueshme është shumë konsumues dhe fshihet pas secilit vendim gjatë tërë kohës e tërë jetës. Damiano, që punon në Universitetin e Boston-it, thotë se një pankreas bionik që ekipi i tij ka krijuar në bashkpunim me kolegët në spitalin e përgjithshëm të Massachusetts u ofron personave me diabet të tipit 1 shpresë për një jetë normale.

Ky lloj aparati e merr përsipër detyrën e monitorimit dhe rregullimit të niveleve të sheqerit në gjak. Nën lekurën e përdoruesit vendoset një monitor që çdo 5 minuta ia përçon një sinjal një aplikacioni në Iphone dhe i jep statusin e sheqerit në gjak. Aplikacioni pastaj llogarit sasinë e nevojshme të insulinës apo glukagonit dhe i çon sinjal pumpave që përdoruesi mban me vete që të lëshojnë sasitë e nevojshme përmes një kateteri. Para ngrënjes, përdoruesit mund edhe të shënojnë të dhëna mbi tipin dhe sasinë e ushqimit që do të hanë.

Pankreasi artificial ka performuar mirë në teste klinike të bazuara në spitale në vitin 2010. Por testi më i rëndësishëm është se a mund të funksionojë në ambiente të përditshme. Në hulumtimin më të fundit, 20 persona të moshës madhore që bartnin këtë aparat u mbajtën në një hotel për 5 ditë, por ishin të lire të bënin çfarë të donin aty brenda, të hanin në restorant si dhe të ushtronin në palestër. 32 të rinj nga moshat 12-20 vjeç poashtu u monitoruan për 5 ditë me radhë në një kamp për fëmije me diabet. Për të dy grupet, rezultatet me pankreasin bionik u krahasuan me metodat tjera të kontrollimit të sëmundjes.

“Aparati i tejkaloi pritjet tona, kreu një punë të mrekullueshme,” thotë Damiano. Si ngritjet, ashtu edhe uljet në nivelin e sheqerit u kontrolluan më mirë se që do të mund të ishin kontrolluar në mënyre manuale.

Kjo është shumë e rëndësishme. Sipas shumë studimeve të bëra, sa më mirë që kontrollohet glukoza, sa më afër masave normale, aq më gjatë mund të shmangen komplikimet afatgjate shëndetësore të diabetit, thotë Damiano.

Impakti emocional

Ky hulumtim ka një impakt shumë të madh mbi pjesëmarrësit e testimeve. “Për një kohë të shkurtë ata panë se si duket jeta pa atë sëmundje dhe kjo është e mrekullueshme,” thotë ai. Në shumë raste, pjesëmarrësit nuk donin ta kthenin aparatin, thotë ai.

Anna Floreen ishte pjesë e grupit të të rriturve dhe shkroi në Blog-un e saj: “Shkova te Starbucks dhe hëngra një banane pa u friguar se nuk ka kaluar kohë e mjaftueshme në mes të injektimit të insulinës dhe konsumimit të ushqimit, dhe nuk pata nevojë të mendoja se mos ecja 20-minutëshe deri në punë ma zbritë nivelin e sheqerit në gjak pas 2 ore!”.

“Është fantastike që studimet mbi pankreasin artificial po përparojnë, si në Shtetet e Bashkuara ashtu edhe në Mbretërinë e Bashkuar,” thotë Alasdair Rankin, drejtor i studimeve për “Diabetes UK”, një shoqatë bamirëse që po e mbështet zhvillimin e një mjeti të ngjashëm në Universitetin e Cambridge-it. “Padyshim që ka ende punë derisa këto sisteme të mund të përdoren në mënyrë të pavarur e të përhershme, por tani ekziston një shpresë e vërtetë që kjo teknologji mban potencial për të tranfsormuar jetët e njerëzve me këtë sëmundje brenda një brezi,” thotë ai.

Damiano shpreson se një seri e testeve më të gjata që fillojnë këtë muaj dhe vitin tjetër të shtrojnë udhën për aprovim nga Administrata e Shteteve të Bashkuara për ushqim dhe barëra. Me pak fat, kjo mund të ndodh para se djali i tij të fillojë studimet në vitin 2017.