“Paketa” e Dortmundit merr formë, erdhën tre!

208

Dortmundi shpenzoi mbi 100 milionë euro në merkaton e verës, por sot nisi zyrtarisht të marrë formë “paketa verdhezi”. Tre lojtarë të porsablerë nga nënkampionët e Gjermanisë u paraqitën paradite në Bochum për të bërë testet fizike para se të nisin fushatën përgatitore për sezonin e ri futbollistik. Ata janë Mario Götze, André Schürrle dhe Raphaël Guerreiro. Dy kampionët e botës sapo janë rikthyer nga pushimet e tyre në plazhin e Malibusë në SHBA, teksa portugezi vjen si kampion Evrope pas suksesit me kombëtaren në “Francë 2016”.

Dortmundi pritet të jetë spektakolar në sezonin e ardhshëm, sidomos në ofensivë. Mario Götze, André Schürrle, Marco Reus, Ousmane Dembele, Emre Mor, Pierre-Emerick Aubameyang dhe Adrian Ramos do të luftojnë për katër apo pesë pozicione si titullarë në sulmin e skuadrës e cila do të rivalizojë Bayernin për titullin kampion të Bundesligës.

Pasdite, Dortmundit do t’i bashkohen edhe dy lojtarë të tjerë për testet parasezonale, Lukasz Piszczek dhe Julian Weigl. Grumbullimi i parë i verdhezinjve me skuadrën e plotë është parashikuar më datë 3 gusht në Dortmund, para se të nisen për në kampin stërvitor në Bad Ragaz të Zvicrës.