Pakënaqësi për të drejtat televizive

Tashmë Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ia ka shitur “Digitalbit” për 150 mijë euro të drejtat televizive të Superligës së Kosovës për edicionin e ri.

Sipas FFK-së, fituesi i të drejtës televizive ishte ofertues më i mirë sesa “Klan TV” dhe RTK-ja, për të cilat ende nuk është bërë e ditur se nga sa para i kanë ofruar, shkruan Zëri.

Por, për analistët dhe klubet kjo vlerë e shitjes së të drejtave televizive është tepër e ulët, sidomos tani kur kampionati i ri kosovar do të dërgojë skuadra në garat e UEFA-s, ndërsa shpenzimet e klubeve automatikisht shtohen dhe krejt kjo pritet ta ngrejë në një tjetër nivel futbollin kosovar.

Sidoqoftë, kjo punë është e kryer dhe kthim prapa nuk mund të ketë. Por mbetet e paqartë mënyra se si do t’u ndahen klubeve këto para që kanë prejardhje nga shitja e të drejtave televizive.

Analistët dhe klubet e mëdha thonë se duhet të ndërpritet praktika e ndarjes së parave në mënyrë të barabartë. Ata kërkojnë që paratë të ndahen me kujdes, të mos i hyhet në hak askujt, duke bërë thirrje që të merren parasysh modalitetet nga vendet anëtare të UEFA-s, ku tashmë është e pranuar edhe Kosova.

“Problemi kryesor është se të drejtat televizive po shiten shumë lirë. Dhe kjo është shumë e dyshimtë, kështu që dyshimet e mia do t’i shprehu pas disa ditësh. Por, është për keqardhje të madhe që po nënçmohet në këtë formë Superliga e Kosovës, duke i shitur të drejtat televizive me çmime simbolike dhe vërtet nuk po i kuptoj klubet se pse po pranojnë”, ka thënë për “Zërin” trajneri i njohur, Ismet Munishi.

“E dyta: Paratë nuk duhet të ndahen në këtë formë siç ka ndodhur deri më tani, që i përngjan një stili komunist. Nuk është në rregull që një klub i cili investon 400 apo 500 mijë euro të marrë mjete baras me një klub që investon 30 mijë euro. Në Kosovë ka klub që dihet se po bie nga Superliga ende pa filluar kampionati dhe merr para nga të drejtat televizive baras me kampionin dhe klubin më të madh”, thotë ai.

Munishi këshillon që paratë të ndahen duke i pasur parasysh historitë e klubeve, sukseset, investimet dhe ambiciet e tyre.