Pacolli: AKR’ja do t’i fitojë 20% në zgjedhjet e ardhshme dhe do ta beje Kosoven vend ku mund te jetohet

131

Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, përmes një statusi në llogarinë e tij në Facebook është shprehur i përgatitur për zgjedhjet e reja. Ai shprehet i bindur se AKR-ja do të marrë 20% të votave totale të zgjedhjeve, dhe do ta largojë varfërinë në vend duke bërë që Kosova të jetë nje vend ku mund te jetohet.

Ja postimi i plotë i Behgjet Pacollit në Facebook:

“Të dashur miq, Edhe ju po e shikoni se çka po ndodh në Kosovë. Po e shikoni se si spektri politik po e trajton qytetarin dhe shtetin e vet, si përfaqësuesit qeveritar janë totalisht të papërgjegjshëm ndaj obligimeve të tyre, se si çdo ditë rritet anarkia, papunësia dhe varfëria, se si ambienti dhe natyra e Kosovës është duke u shkatërruar nga uzurpatorët ilegalë (gurthyesit e minierave të zhavorit), se si investitorët nuk vijnë më në Kosovë, ndërsa edhe ata që ishin u larguan.

Po e shihni se si Kosova çdo ditë po kthehet në një ambient ku rinia dhe qytetarët nuk dëshirojnë të vazhdojnë jetën. Po e shihni si po trajtohet prona publike dhe se si Kosova është kthyer në një vend ku ligji dhe drejtësia është kthyer në dispozicion të strukturave mafioze dhe funksionon vetëm për të fortët… e shumë, e shumë, gjëra të tjera dhe pikërisht për këtë kam vendosur t’i kthehem riorganizimit të AKR-së me njerëz të rinj, të shkolluar, të sinqertë dhe punëtorë.

Qytetarë të dashur, ju garantoj se ndryshimi është i mundur dhe se ne do ta kthejmë Kosovën në një vend të jetueshëm, do ta kthejmë Kosovën në një vend me rritje ekonomike mbi 10%, që mundëson krijimin e shumë vendeve të punës gjatë një viti.

Do të ndalim degradimin e ambientit dhe do të rikthejmë në funksion fabrikat që rrinë bosh, po ashtu do t’i rihapim edhe minierat tona. Para përgjegjësisë do t’i sjellim të gjithë aktorët që shkaktuan shkatërrimin e ekonomisë dhe të shtetit ligjor.

Ne do të bëjmë edhe shumë gjëra të tjera, prandaj, të dashur qytetarë, ne na nevojitet të marrim në duar timonin e qeverisë. Për këtë nevojitet minimumi 20% i konsesusit, konsensus që në zgjedhjet e kaluara nuk e kemi arritur.

Prandaj na nevojitet ndihma juaj! Secili që e do Kosovën, është i shkolluar, i sinqertë dhe dëshiron të punojë, mund të na kontaktojë në emailin tonë zyrtar:[email protected]

Unë vetëm nuk ia dal dot, por me JU është e mundur! T’i ndihmojmë Kosovës, sepse tani Kosova ka nevojë për ne. Faleminderit!”, shkruan ai