OVL: S’jemi pjesë e organizimit për Epopenë e UÇK-së

Organizatat e dala nga Lufta e UÇK-së, nëpërmjet një komunikate, kanë njoftuar se nuk janë pjesë e Këshillit Organizativ për shënimin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e organizuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, për shkak të, siç thotë OVL, papërgjegjësisë dhe vonesave në organizim.

“Organizatat e dala nga Lufta e UÇK-së njoftojnë opinionin se nuk janë pjesë e Këshillit Organizativ për shënimin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilën e organizon Qeveria e Republikës së Kosovës, për shkak të papërgjegjësisë dhe vonesave rreth organizimit”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, organizatat e dala nga Lufta e UÇK-së, njoftojnë se, si çdo herë, do të bëjnë organizimet në nderim të Epopesë së UÇK-së në Prekaz dhe nëpër Komunat e Kosovës, duke përfshirë homazhet me datën 6 mars prej orës 10:00, me datën 7 mars në Natën e Zjarreve prej orës 18:00, si dhe aktivitete të tjera. /KosovaPress/