Opozita: Nuk kemi atdhe rezervë, kemi vetëm Kosovën

93

Për dallim prej herëve të tjera, takimi mobilizues i opozitës sot ka filluar me një dokumentar ku janë paraqitur premtimet elektorale të kryeministrit Isa Musafa e presidentit të zgjedhur Hashim Thaçi. Në dokumentar janë paraqitur, siç i quan opozita, dështimet e pushtetit gjatë mandateve të kaluara.

Aty janë hedhur poshtë të gjitha premtimet e tyre për 200 mijë vende pune. Po ashtu, ishte publikuar edhe fjalimi i Kadri Veselit, ku ka thënë që sigurimi nuk do të hyjë asnjëherë në Kuvend dhe fjalimin e kryeministrit Isa Mustafa, ku kishte thënë se nuk do të shkojë në Bruksel për të negociuar me Serbinë, por në dokumentar ishte paraqitur vizita e tij në Bruksel si kryeministër i vendit.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha se tash e disa muaj po përballemi me njerëz që e kanë shkelur Kushtetutën, kufijtë e shtetit dhe e kanë kthyer Kosovën në zonë të pasigurt.

Ai tha se pushteti e ka shndërruar Kosovën në poligon të hajnisë dhe të krimit dhe, sipas tij, nga frika e tyre për të shpëtuar vetën, ata po e harxhojnë Kosovën.

Kryetari i NISMË – s për Kosovën, Fatmir Limaj tha se këta njerëz i kanë zhgënjyer edhe qytetarët të cilët i kanë votuar. Ai tha se të gjithë ndihen të tradhtuar nga ky regjim, prandaj duhet bashkuar pa dallime politike e partiake deri në largimin e këtij regjimi, siç e quan ai, antikushtetues.

Limaj më tej tha se opozita është e palëkundur dhe se janë më të bashkuar se kurrë më parë deri në rrëzimin e pushtetit, pasi që opozita nuk ka atdhe rezervë, por e kanë Kosovën.

Të gjithë pa dallim bindjeve të tyre partiake e politike kemi ardhur në një zë, të gjithë janë të pakënaqur, të zhgënjyer e të tradhtuar nga ky regjim, dhe nëse edhe analizat e tregojnë një gjë të tillë, atëherë mbetet vetëm një rrugë për t’u liruar nga ky regjim antikushtetues. Të bashkohemi të gjithë pa dallime krahine, partiake e bindje politike, përderisa e shohim se Kosova është një Republikë në rrezik, të gjithë duhet bashkuar deri në largimin e këtij regjimi antikushtetues. Ne si opozitë e bashkuar as nuk jemi lëkundur as nuk do të lëkundemi, ne jemi më të bashkuar se kurrë deri në largimin e këtij regjimi antikushtetues… Ata po e testojnë vendosmërinë tonë, sa jemi të vendosur me rrugën tonë, ne u tregojmë që jemi po aq të vendosur sa kemi të drejtë në kauzën tonë, ne nuk kemi atdhe rezervë, atdheu ynë është Kosova”, tha Limaj.

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri. tha se Hashim Thaçi, Isa Mustafa e Kadri Veseli janë treshe e krimit dhe korrupsionit, por sipas tij opozita nuk do të pranojë nëpërkëmbjen, ofendimin, gënjeshtrën, hajninë dhe uzurpimin e këtij regjimi.

Ymeri më tej tha se Kosova po vazhdon të rrezikohet nga “Zajednica”, nga demarkacioni, shteti policor e diktatura, që sipas tij, po rrënon demokracinë e barazinë në vend dhe nga kapja e shtetit që po e transformon republikën ne shtet huliganësh.

Ymeri ka përmendur edhe reagimin e Odës Ekonomike të Kosovës të cilët i janë ankuar institucioneve të BE – së për rrokullisjen e kamionëve me mallra nga Serbia. Ymeri e ka quajtur Gërxhaliun mik të Thaçit e argat të regjimit. /KosovaPress/