Obama "bekon" Clintonin: Bashkë drejt fitores!

145

Presidenti i SHBA-ve, Barack Obama, bekoi kandidaten e partisë së tij, Hillary Clinton për Presidente, duke ftuar demokratët që të bashkohen edhe njëherë, ashtu siç kishin vepruar për të dhe të votojnë ish-Sekretaren e Shtetit dhe t’i besojnë saj drejtimin e vendit.

Obama deklaroi se Clinton mund ta mbajë vendin të sigurtë në një botë të rrezikshme, duke shtuar se ajo gëzon respektin e të gjithë liderëve botërorë, por edhe të popujve për të cilën ajo kishte punuar.

“Ajo punoi me ekipet e intilegjencës, me diplomatët tanë, me ushtrinë. Ajo ka gjykimin, eksperiencën dhe temperamentin të dallon kërcënimin nga terrorizimi. Nuk është ndonjë gjë e re për të. E di që Hillary nuk do të ndalet derisa ISIS të shkatërrohet. Ajo do të përfundojë punën pa pasur nevojë që të ndëshkojë të gjithë njerëzit sepse i përkasin një feje”, deklaroi Obama.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë vazhdoi sulmin ndaj kandidatit republikan, duke thënë se kritikon Amerikën dhe vazhdon të thur lavde për Saddam Hussein, të çmojë Putinin apo t’ju kundërvihet shteteve aleate të NATO-s, vende që i qëndruan pranë SHBA-ve në ditët më të vështira të shtatorit të vitit 2011.

“Trump e quan ushtrinë tonë një katastrofë, pa i njohur të gjitha ato burra e gra që përbëjnë forcën ushtarake më të fortë që bota ka njohur nodnjëherë. Ai thotë se Amerika është e dobët, por ai nuk ak dëgjuar miliarda burra, gra e fëmijë, që nga Baltiku në Birmani shohin nga Amerika si dritën e lirisë, dinjitetit dhe lirive të njeriut. Ai bën që Putin të ndjehet komod, lëvdon Sadam Husseinin, dhe ju thotë aleatëve të NATO-s që qëndruan me ne gjatë sulmeve të shtatorit se ata duhet të paguajnë nëse duan mbrojtjen tonë”, vijoi Obama.

Duke iu referuar sloganit të Trump që thotë “ta bëjmë Amerikën të madhe sërish”, Obama tha se “Amerika që tani është e madhe. Amerika që tani është e fortë. Dhe ju premtoj që forca jonë nuk varet nga Donald Trump”.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë vijoi sulmet në drejtim të Trump duke thënë se ai nuk është njeri i planeve apo fakteve dhe se ka mashtruar shumë njerëz. Kur publiku filloi të vërshëllente sa herë i përmendje emri i republikanit, Obama iu kërkoi të mos e bënin këtë gjë, por ta ndëshkonin me votë.

Pas fjalimit të tij, në podium u paraqit edhe Hillary Clinton e cila përqafoi dhe falënderoi Presidentin aktual, ndërsa bashkë përshëndeten të gjithë të pranishmit në konventën e demokratëve.

/ Top Channel