Aktualisht, kampioni në fuqi i Shqipërisë (deri në vendimin e radhës), Skënderbeu, ka nisur përgatitjet për edicionin e ri të futbollit shqiptar.
Të pranishëm ishin të gjithë futbollistët, duke përfshirë këtu edhe kosovarët. Mirëpo, kjo nuk është e tëra.
Për të parë nga afër futbollistët, në stadiumin në Korçë kishin ardhur hiq më pak se 2 mijë shikues për ta përkrahur skuadrën pas zhvillimeve të fundit, njofton faqja e klubit, transmeton Gazeta Sheshi.
Siç dihet, Skënderbeu u dënua nga UEFA me përjashtim nga garat evropiane për shkak të trukimit të ndeshjeve.
Ndërkohë, ende pa nisur edicioni i ri i futbollit shqiptar do të saktësohet nëse titulli i fituar nga korçarët do të mbetet i tyre apo do t’i kalojë Partizanit, që e kishte mbyllur kampionatin në vendin e dytë.