Nuhiu tregon si e ‘likuiduan’ Drenicën për 30 minuta dhe flet për ndeshjen ndaj Ballkanit

Drita e ka regjistruar fitoren e tretë më radhë në pranverë, për të marrë kreun e tabelës përkohësisht. Djelmoshat e Ardian Nuhiut triumfuan me rezultat bindës 4-1 përballë Drenicës, në një ndeshje të cilën e zgjidhën brenda 30 minutave, raporton Gazetasheshi.com.

Vetë shefi i shtabit teknik të kësaj skuadre, Ardian Nuhiu, deklaroi pas ndeshjes për “Super Sport Kosova” që skuadra e tij arriti që me presion dhe shpejtësi në repartin ofansiv të zgjidh çështjen e fituesit.

“Kemi zhvilluar një pjesë të parë shumë të mirë. Futbollistët kanë dhënë maksimumin në secilin repart dhe mendoj që me plotë meritë e kemi fituar ndeshjen. E kemi ditur që Drenica vjen pas dy humbjeve radhazi dhe do të kërkoj të këndellet. Por, presioni i lartë të cilin e kemi aplikuar, si dhe aksionet e shpejta në repartin ofansiv nuk i kanë dhënë fare kohë atyre për të reaguar”, ka deklaruar Nuhiu.

Pamje nga ndeshja Drita 4-1 Drenica

Më pas Nuhiu deklaroi se skuadra e tij ishte e fokusuar vetëm në përballjen ndaj Drenicës dhe se planifikimi i ndeshjes me Ballkanin fillon qysh nga kjo e premte.

“Përqendrimi ynë ishte te Drenica. Nga tani fillojmë të mendojmë për ndeshjen e radhës ndaj Ballkanit”, përfundoi Nuhiu.

Me fitoren ndaj Drenicës tashmë skuadra e Dritës lideron Superligën me 40 pikë, aq sa ka edhe Ballkani që të shtunën e zhvillon derbin e javës ndaj Prishtinës.

/Gazeta Sheshi/