Njihuni me ekipin më të dobët të Anglisë, kanë humbur 31 nga 32 ndeshje

142

Ekipi i Nju Mills AFC në Derbishajër ka luajtur 32 ndeshje këtë sezon, duke barazuar 1 dhe humbur 31 të tjerat.

Por pasi kjo skuadër amatore u etiketua si më e dobëta në ishull, ajo nisi të fajësojë motin për rezultatet e dobëta këtë sezon, ku nuk ka fituar ende ndeshjen e parë dhe ka pësuar 105 gola, përcjell lajmin Panorama Sport.

Nju Mills militon në Evo-Stik League Northern Premier, Divizioni i parë i Veriut ose kategoria e tetë e futbollit anglez dhe në 28 ndeshjet e deritanishme në kampionat, ata kanë dalë kokulur në 27 raste, duke marrë vetëm një barazim 2-2 gjatë kësaj serie.

Katër ndeshjet e tjera të Kupës i kanë humbur që të gjitha. Lojtarët, të cilët punojnë gjatë ditës në profesione të tjera, stërviten dy herë gjatë ditës dhe paguhen me 20 paund për ndeshje. Ata renditen 19 pikë larg pozicionit që të garanton mosrënien një kategori më poshtë në 14 ndeshjet e mbetura.

Por, pavarësisht rekordit negativ, trajneri Geri Braun, këmbëngul se mbijetesa është ende e mundur. Braun, i cili u ul në stol shtatorin e vitit të shkuar duke zëvendësuar Endi Fern dhe ish-sulmuesin e Sitit, Shon Gotër, ka fajësuar kohën në Angli.

“Tingëllon e çuditshme, por koha në Nju Mills luan një rol të rëndësishëm në formën tonë. Këtu është koha më e keqe që mund të keni imagjinuar. Ky është një qytet i shkëlqyer, njerëzit janë fantastikë, por klima nuk na ndihmon shumë. Ka pasur shumë ndeshje të anuluara dhe inspektime të fushës për shkak të reshjeve.

Ndonjëherë kalojnë javë pa luajtur, për shkak se terreni është shumë i lagur dhe rrjedhimisht humbasim formën”, thotë Braun. Gjatë këtyre 28 javëve, ekipi ka shënuar vetëm 17 herë dhe ka pësuar 105 gola (-88). Rivalen më të afërt në renditje e kanë 17 pikë larg dhe u duhen 19 pikë për të siguruar mbijetesën në javët e mbetura.

“Sinqerisht që mendoj se mund të mbijetojmë. Këta lojtarë kanë nisur të përshtaten dhe mund t’ia dalim. Ata janë të motivuar për t’u bërë pjesë e diçkaje të pabesueshme. Do të ishte diçka fantastike.

E kemi pak të vështirë të përqendrohemi me gjithë këtë negativitet që rrethon klubin. Kritikat nuk po na ndihmojnë dhe disa lojtarë janë bërë nervozë, por ne besojmë shumë te këta djem dhe ata duhet të besojnë gjithashtu se mund t’ia dalin”, përfundoi trajneri.