Një rrëfim i padëgjuar më parë nga Alberto Annese, ish-trajneri i Lirisë tregon se për çfarë u befasua në Kosovë dhe cili ishte ‘pengu’ i lënë në gjysmë

Vincenzo Alberto Annese kishte drejtuar disa skuadra në karrierë, para se fati ta sjellte në Kosovë, në fundin e vitit 2018. 35 vjeçari nga Italia kishte zbarkuar në qytetin e lashtë të Prizrenit për të nisur një ‘mision’ të ri me Klubin Futbollistik “Liria”.

Por, gjërat nuk shkuan ashtu siç i kishte planifikuar Annese, megjithëse ekipi pësoi shumë ndryshime dhe debutuan disa futbollistë të rinj, të cilët shumë shpejtë priten të jenë pjesë e skuadrave evropiane, pikërisht me ndërmjetësimin e vetë teknikut italian.

Në një intervistë ekskluzive, për herë të parë për një medium në Kosovë, Annese ka rrëfyer për Gazetën “Sheshi” në lidhje me aventurën e tij në Kosovë. Ai vazhdon të jetë i lidhur me futbollin kosovar, pasi që ndjek disa nga futbollistët e rinj.

Në bisedën e zhvilluar për “Sheshin” ai tregon edhe arsyet për të cilat u largua nga Liria dhe se vazhdon të përcjellë ende këtë skuadër, pavarësisht ndarjes jo shumë të mirë që kishin.

“Në Kosovë unë qëndrova për vetëm katër muaj, ishte një ekseperincë e re dhe mjaft e mirë për mua. Erdha në një moment të papërshtatshëm dhe me një mission të vështirë. I ndryshuam disa gjëra, duke e transformuar ekipin në aspektin fizik dhe duke ndryshuar shumë gjëra sa i përket mënyrës së punës”, deklaroi fillimisht tekniku italian.

Vincenzo Alberto Annese gjatë prezantimit te FC Liria

Ai ka mbetur i surprizuar për të mirë me futbollin kosovar sa i përket cilësisë, ndërkohë që është duke punuar për transferimin e futbollistit Arbër Bytyqi për t’u transferuar jashtë vendit.

“Futbolli në Kosovë është shumë taktik, jam surprizuar për të mirë. Kam parë disa futbollistë të mire atje, me disa prej tyre unë jam në kontakt dhe do të tentoj që t’i transferojë jashtë vendit. Njëri nga ta është Arbër Bytyqi, një futbollist jashtëzakonisht i talentuar. Por, ardhja e ‘Covid’ na ndryshoi gjërat, por ne do të punojmë shumë që ta transferojmë atë në një skuadër më të fortë”, deklaroi 35 vjeçari.

Annese u ndal të flas edhe për mënyrën e largimit të tij nga Liria dhe thekson se ndërrimi i shpeshtë i trajnerëve në Superligën e Kosovës është një defekt që kanë drejtuesit e klubeve.

“Ne humbëm dy ndeshje radhazi dhe barazuam në shtëpi. Presioni u rrit dhe filluan të vijnin kritikat e para. Drejtuesit e klubit nuk kishin durim për të pritur. Ne kishim investuar në të ardhmen e këtij klubi, sollëm gjashtë futbollistë të huaj dhe kishim filluar të ndryshonim për të mirë. Kjo ndoshta është një gjë që nuk më pëlqeu shumë në Kosovë, presioni ndaj trajnerëve. Brenda pak javësh ishin gjysma e trajnerëve të shkarkuar nga 12 klubet e Superligës”, deklaroi ish-trajneri i Lirisë.

Vincenzo Alberto Annese gjatë një seance stërvitore te FC Liria

Megjithë ndarjen jo fort të këndshme me klubin prizrenas, ai thekson se do të rikthehej sërish në Kosovë, pasi që ka ende për të dëshmuar.

“Po, do të rikthehesha sërish në Kosovë, sepse klubet dhe opinioni në Kosovë nuk e dijnë ende se çfarë trajneri jam unë. Kam shumë për të dëshmuar dhe një aventurë e re atje, përse jo”.

Aktualisht Annese është selektor i kombëtares së futbollit në Belize, e cila ndodhet në Amerikën Qendrore (CONCACAF), por që vazhdon ta ndjek ende futbollin kosovar.

Atij i ka lënë përshtypje jashtëzakonisht shumë skuadra e Ballkanit që është transformuar për të mirë, derisa veçon treshen e sulmit të kësaj skuadre, Baftiu, Topalli, Hoxha.

“Po, vazhdoj ta ndjek futbollin në Kosovë. Ballkani është një surprizë e bukur, ngase mbaj mend edicionin e kaluar kur isha unë ata kishin vetëm vitin e dytë në Superligë. Kanë ndërtuar një skuadër të re dhe frytet po i vjelin tani. Treshja e sulmit janë shumë energjik dhe besoj se mund të luajnë pa ndonjë problem jashtë vendit. Te Ballkani kam edhe dy futbollistët e mi, të cilët i ndjek kohë pas kohe”, deklaroi Annese.

Vincenzo Alberto Annese gjatë kohës sa drejtonte ekipin nga Estonia, Paide Linnameeskond

Ai gjithashtu ndjek kohë pas kohe edhe ekipin e Lirisë, për të cilin ka shumë nostalgji dhe pret që të inkuadrohet në Superligë.

“Gjërat kanë ndryshuar tani te Liria, unë vazhdoj ta përcjellë kohë pas kohe ekipin, pasi që i dua lojtarët e mi. Kam mardhënie të shkëlqyera me disa nga anëtarët e stafit që kisha dhe në veçanti me trajnerin Alban Shala. Unë i ndjek disa futbollistë të rinj atje dhe jam i lumtur me zhvillimin e tyre. Shpresoj që futbolli të vazhdoj edhe në Ligën e Parë në Kosovë dhe Liria të rikthehet në Superligë. Prizreni meriton të ketë një skuadër në Superligë¸ pasi që njerëzit atje e duan futbollin dhe tifozët janë të mrekullueshëm”, ka përfunduar Annese.

Përpara se të niste karrierën si trajner, Annese ishte pjesë e disa skuadrave italiane si futbollist. Ai luajti në disa klube të Serie C, ndërkohë që ishte pjesë e moshave të kombëtares italiane deri në vitin 2001.

Edhe karrierën si trajner e nisi në vendin e tij të lindjes, Italinë, derisa paraprakisht kreu studimet Master në “Planifikimin Didaktik të sistemeve dhe klasave: sintezë për ndërtimin e mësimit të personalizuar”, në korrik të vitit 2009 në Bari. Ndërkohë, që më pas vijoi me marrjen e licencave të UEFA-s për trajner, me ç’rast tashmë e zotëron edhe licencën “UEFA Pro”.

Gjithashtu ai ka botuar edhe tri libra në lidhje me futbollin.

“Sekreti për të fituar në futboll”, “Të fitosh në futboll me sistemin 1-4-3-3” dhe “Mënyra tjetër për ta shikuar sistemin 1-3-5-2″, janë librat e botuar nga tekniku italian, të cilat janë shituar në kohë rekorde.

/Gazeta Sheshi/