Një mbrojtës nga Kosova për Kukësin, 20-vjeçari në “lupën” e Pakultit

Një mbrojtës nga Kosova, por me të kaluar në Kombëtaret e moshave të Shqipërisë, ka dalë dje në stërvitje me Kukësin. Bëhet fjalë për 20-vjeçarin Rilind Kastrati, i cili do të testohet disa ditë te kampionët në fuqi dhe më pas trajneri Peter Pakult do të vendosë për qëndrimin e tij. Kastrati ka luajtur në sezonin e kaluar me Lirinë e Prizrenit në Superligën kosovare, ndërsa më pas ka tentuar të aktivizohet në kampionatin zviceran.

Gjithsesi, në 6 muajt e fundit nuk ka të dhëna se në cilin ekip ka luajtur, përveçse rezulton të jetë testuar te klube si FC Lousane dhe FC Solothurn. Ai luan si mbrojtës qendre, por mund të përshtatet edhe në krahun e djathtë të këtij reparti. Kastrati ka qenë pjesë e Kombëtareve U-17 dhe U-19 të Shqipërisë.

kukesi

STËRVITJA – Trajneri Pakult ka programin me ekipin në kuadër të sfidës ndaj Flamurtarit. Skuadra ka marrë ngarkesë të plotë, teksa austriaku ka kërkuar përqendrim nga futbollistet. Kukësit duhet t’i shërbejë kjo periudhë pushimi për të kthyer çdo gjë në favor sa i përket formës së disa lojtarëve, të cilët kanë zhgënjyer në takimet e fundit. Transferta e radhës shihet si delikate, për vetë faktin se Flamurtari vjen nga një moment shumë i vështirë dhe do të kërkojë kthesën. Kukësi shkon në Vlorë pa mesfushorin Besar Musolli, i cili, për shkak të kartonit të verdhë ndaj Vllaznisë, ka plotësuar numrin e tyre.

rilind kastrati