Nisma për përmirësimin e marrëdhënieve Kosovë dhe Bosnje-Hercegovinë

103

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme Petrit Selimi ka pritur  sot deputetin e Asamblesë Parlamentare të Bosnje-Hercegovinës, Shemsudin Mehmedoviq.

Selimi u shpreh i lumtur të ketë pritur një delegacion nga Bosnja dhe Hercegovina, duke shtuar se se duhet vazhduar të punojmë për avancimin e marrëdhënieve mes dy shteteve.

Deputeti boshnjak Mehmedoviq gjithashtu nënvizoi gatishmërinë e tij për nisma të fuqishme që do të kontribuonin për përmirësimin e marrëdhënieve mes Bosnje-Hercegovinës dhe Kosovës, veçanërisht përkitazi me lirinë e lëvizjes në mes të dy vendeve, transmeton Klan Kosova.

Palët u pajtuan se kjo do të kishte një ndikim jashtëzakonisht pozitiv në tregti, si dhe në çështje të tjera praktike, duke shërbyer si një hap fillestar për bashkëpunim të mëtejshëm ndërshtetëror.

Selimi dhe Mehmedoviq diskutuan gjithashtu për pozitën e komunitetit boshnjak në Kosovë, duke rënë dakord që të mbetet të përkushtuar për të mbështetur nevojat e tyre.