Nisin hetimet ndaj Juventusit për pretendimin se i ka 36 tituj në Serie A

Prokuroria e Napolit i ka nisur hetimet ndaj Juventusit, pasi një avokat dorëzoi një ankesë për reklamim fals, për shkak se Juventusi pretendon se i ka 36 tituj të Serisë A.

Juventusi i ka fituar 34 tituj të Serisë A zyrtarisht, por vazhdon t’i llogarisë edhe dy titujt e sezoneve 2004-05 dhe 2005-06, të cilët iu morën pas skandalit të kurdisjeve të njohur si “Calciopoli”, ndërsa i dyti iu dha Interit.

Në stadiumin e vet “Allianz Stadium”, në uebsajtin e klubit dhe në autobusin e ekipit, Juventusi pretendon se i ka fituar 36 tituj. Corriere del Mezzogiorno raporton se prokurori i Napolit e ka hapur dosjen për reklamim fals.

Ankesën e ka bërë avokati Angelo Pisani, i cili ka punuar për Diego Maradonën në të kaluarën, dhe bazohet në faktin se Juventusi është kompani publike në treg.