Nga Feyenoordi te Feronikeli: Futbollisti i talentuar i tregon holandezëve gjithçka për Kosovën

Futbollistët profesionistë të futbollit holandez mund të gjenden në çdo cep të botës, e njëri prej tyre është edhe Simon Loshi.

Së fundmi, në emisionin ‘Over de Grens’ të mediumit ‘Voetbalzone’, është diskutuar për Simon Loshin, i cili së fundmi u transferua te kampioni i Kosovës, Feronikeli.

Simon Loshi ka ardhur në Kosovë që kur ishte pesë-vjeçar, për pushime dhe vizita familjare. Por, kur ai u transferua në tokën kosovare në muajin e kaluar, ai u ndje disi më ndryshe.

“Gjithçka ishte më ndryshe për shkak se kam ardhur këtu për të luajtur futboll. Futbolli tani ka vëmendje të madhe edhe këtu. Në Holandë ka mijëra futbollistë, derisa në Kosovë ka shumë më pak”, ka thënë fillimisht Simon Loshi.

Image

Për disa ishte befasi që 19-vjeçari u transferua në futbollin e Kosovës, derisa edhe vetë ai thotë se nuk e ka menduar më herët një gjë të tillë.

Loshi, i lindur në Tilburg, e nisi karrierën te Willem II, e më pas kaloi te Feyenoordi dhe Roterdami. Te grupmoshat e reja të Roterdami ai luajti dhjetë vite, derisa verën e kaluar e bëri të ditur largimin.

“Sigurisht se ishte i vështirë largimi pasi aty isha për disa vite, megjithatë duhej ta bëja këtë”, tregon më tej Loshi për mediumin holandez.

Tutje, mbrojtësi i krahut ka luajtur edhe në ADO Hagku, por ai nuk gjeti kurrë lumturinë dhe rehatinë e duhur te kjo skuadër.

“Unë thjesht nuk u kënaqa dhe kjo nuk ishte e lehtë. Nganjëherë u lodha nga futbolli dhe mendoja tërheqjen, por nëna ime nuk më lejoi ta bëj një gjë të tillë. Ajo është një grua e fortë”, potencoi Simon Loshi.

Përmes një agjenti, Loshi dëgjoi për interesimin e një klubi kosovar që po ‘rritej’, përcjell Zëri.info.

Image

Ai vendosi dhe u transferua te Feronikeli duke nënshkruar edhe kontratë me klubin nga Drenasi.

Superliga e Kosovës nuk është një kampionat i panjohur për Loshin pasi ai e ka ndjekur këtë garë në vitet e fundit.

“Jo sikur në Premierligë, por e kam shikuar gjithnjë renditjen dhe i shikoja ndeshjet drejtpërdrejtë. Nganjëherë edhe i shikoja rezultatet në ‘Livescore’. Fakti që Feronikeli doli me një plan ambicioz, zgjodha kalimin në Kosovë”, theksoi mbrojtësi i talentuar.

Feronikeli tashmë drejtohet nga trajneri i mirënjohur shqiptar, Agim Sopi, derisa presidenti Naser Ramaj e ka marrë edhe ish-trajnerin e Kosovës, Albert Bunjakin në postin e këshilltarit, derisa Loshi ka folur edhe për idetë e tyre.

“Ata duan të sjellin ide evropiane në futbollin kosovar me disa njerëz të huaj. Kjo merr kohë dhe kushton shumë, por për të arritur diçka duhet të investoni. Unë e vërej se ky është një klub i madh në Kosovë. Në lajme flitet vetëm për Feronikelin. Një stadium i ri po ndërtohet me paratë e fituara”, deklaroi Simon Loshi.

Image

“Le ta pranojmë, Kosova është ende një vend fillestar për futbollin dhe futbolli është gjithçka këtu. Sa i përket renditjes së Feronikelit në tabelë, nuk më pëlqen kjo, por mendoj se duhet të kthehemi në vendin e duhur dhe të jemi në Ligën e Kampionëve. Askush nuk mendon se kjo është e sigurtë tani, por ka gjasa të ndodhë”, tregon Loshi.

Synimi përfundimtar i Loshit është i qartë, të ftohet nga Përfaqësuesja e Kosovës.

“Kjo do të më bënte mua dhe familjen shumë krenarë”, përfundoi Simon Loshi për ‘Voetbalzone’, mediumin holandez.