Nga Anelka te Shaqiri, dështimet e merkatos së janarit në Serinë A

Merkatoja e dimrit është gjithmonë një rrezik për klubet, ndërsa lojtarët duhet të përshtaten me një ekip të ri në mes të sezonit. Edhe Seria A nuk ka arritur t’i shpëtojë këtyre rreziqeve. Edhe pse një pjesë e operacioneve kanë rezultuar shumë të suksesshëm, disa të tjerë kanë dështuar plotësisht, me emrat e lojtarëve që janë harruar shumë shpejt. Skuadra si Milan, Inter dhe Juventus kanë qenë protagoniste të operacioneve të tilla gjatë merkatos së dimrit në sezonet e fundit, nga Nicolas Anelka te Lukas Podolski.

 

                                                           Nicolas Anelka

Sulmuesi francez, gjithmonë problematik, është transferuar tek Juventusi në moshën 34 vjeç pas një eksperience në Kinë në 2013-ën. Pas vetëm dy paraqitjesh në Serinë A, ishte e qartë se Anelka nuk ishte më në gjendje të bënte diferencën dhe ish-sulmuesi i Arsenalit nuk ka arritur t’i japë asgjë bardhezinjve.

                                                          Xherdan Shaqiri

Pas shpërthimit te Basel, lojtari i kombëtares zvicerane, Xherdan Shaqiri, u transferua te Bayern Munich, por nuk arriti të siguronte një vend si titullar te bavarezët, pavarësisht talentit të tij. Lojtari u huazua tek Interi në janarin e 2015-ës, por aventura e tij me zikaltrit ka qenë një dështim. Vetëm një gol në Serinë A në fazën e dytë të sezonit dhe disa paraqitje zhgënjyese kanë bindur Interin që të heqë dorë nga lojtari, i cili aktualisht po bind me Stoken në Prmier League.

                                                                 Lukas Podolski

I huazuar nga Interi prej Arsenalit, Podolski nuk ka arritur të bindë deri në atë pikë sa nuk është përfshirë nga trajneri Mancini në listën e lojtarëve që morën pjesën në Europa League. Lojtari i kombëtares gjermane ka pranuar më vonë se transferimi i tij te klubi milanez ishte një gabim.

                                                               Mattia Destro

Nga ana tjetër e Milanos, “Djalli” u mundua të shpëtonte sezonin duke huazuar Destron nga Roma në merkaton e dimrit. Me vetëm tre gola të realizuar, sulmuesi nuk ka arritur të ndihmojë skuadrën kuqezi, që e ka mbyllur sezonin në vendin e 10-të.

                                                             Alessio Cerci

Alessio Cercin duhej të garantonte krosimet për Destron dhe është marrë nga kuqezinjtë pas një faze të parë shumë zhgënjyese të kaluar me fanellën e Atletico Madrid në kampionatin spanjoll, duke mos arritur të përsërisë formën e mirë të treguar me Torinon para transferimit në Madrid.

                                                            Samuel Eto’o

Kamerunasi me eksperiencë është transferuar te Sampdoria në janar të 2015-ës pasi ka kaluar gjysmën e sezonit tek Everton, por e ka nisur aventurën e tij në mënyrë të gabuar duke braktisur stërvitjen pas vetëm një jave nga transferimi i tij. Ish-lojtari i Interit dhe Barcelonës është dukur jashtë forme dhe ka shënuar vetëm dy gola.

                                                           Juan Esnaider

I blerë nga Juventus për të zëvendësuar Alessandro Del Pieron, i cili ishte ndalur nga një dëmtim serioz në gju, Esnaider ka shkuar në “Delle Alpi” pas paraqitjeve të mira me Espanyol. Ai është transferuar te bardhezinjtë në janar të 1999-ës. Sulmuesi argjentinas nuk ka arritur të përshtatet në Torino dhe e ka mbyllur sezonin me zero gola, ndërsa 12 muaj më vonë ka shkuar te Zaragoza.