Në sektorin e bujqësisë sivjet 3 mijë punëtorë të rinj

94

Ministri i Bujqësisë Memli Krasniqi ka prezantuar sot Programin për Bujqësi dhe Zhvillim Rural 2016 dhe Programin për pagesat direkte 2016, të cilat sivjet përfshijnë një buxhet prej 46 milionë euro.

Ai me këtë rast tha se programi i sivjetshëm është bërë në harmoni edhe me disa prej rekomandimeve që kanë dhënë vetë fermerët.

“Janë 3 milionë euro në këtë vit më shumë se në vitin e kaluar për Fondin mbështetës të fermerëve. Suksesi nuk qëndron vetëm te mjetet, por edhe tek efikasiteti dhe transparenca që mbetet objektiv parësor”, tha Krasniqi.

Sipas tij, me këtë program janë bërë disa ndryshime për lehtësimin e kritereve për aplikim nga ana e fermerëve.

Krasniqi tha se ky program është në shërbim fermerëve dhe me të arrihen standarde evropiane. Fazat e aplikimit në këtë vit janë në dy faza, sepse në vitin e kaluar ka qenë një fazë e aplikimit. Me këtë program ai pret të hapen 3 mijë vende të punës me mbështetjen e agrobizneseve.

Sipas tij, në vitin e kaluar në sektorin e bujqësisë ishin punësuar 2 mijë e 500 punëtorë.

Ministri Krasniqi tha se edhe programi i vitit të kaluar shënuar rezultat në shtimin e tokave në prodhim, e cila sipas tij ka ndikuar në zëvendësimin e importit të produkteve bujqësorë. Ministri tha se importi ende mbetet i lartë për këto produkte.

“Vazhdon përkrahja e sektorit të pemëve, perimeve, sektori i mishit, i qumështit, i rrushit, sektori i vezëve etj. Janë bërë disa lehtësi për aplikim të fermerëve për grante në bujqësi”, ka thënë ai. /koha.net/