Në Çeki i gëzohen mungesës së Vedat Muriqit: Na i kishte torturuar mbrojtësit

Futbollisti më në formë i Kosovës Vedat Muriqi nuk do të jetë në dispozicion të trajnerit Bernard Challandes për dy ndeshjet e radhës.

Sulmuesi i Fenerbahçes pësoi një lëndim në nyjën e këmbës në fitoren 3:2 ndaj Kasimpasas në fundjavë.

Ndonëse ishte grumbulluar me futbollistët e Kosovës, Muriqi nuk ka arritur ta kalojë lëndimin dhe kështu do të mungojë kundër Çekisë dhe Anglisë.

Muriqi është mungesa e madhe e Kosovës

Kur kanë kaluar disa orë që prej konfirmimit të Federatës së Futbollit të Kosovës, ende nuk dihet se kush do ta zëvendësojë Muriqin në skuadër.

Saktësisht, ende nuk dihet nëse trajneri Challandes do të ndërmarrë ndonjë veprim dhe ta ftojë ndonjë futbollist tjetër në vend të prizrenasit.

Mungesën e Muriqit në këto dy ndeshje e kanë kuptuar edhe çekët.

Faqja e futbollit çek në ‘Twitter’, “Czech Football” ka shkruar se mungesa e Muriqit do të jetë një goditje e madhe për Kosovën.

“Kosova do të përballet me Republikën çeke pa Vedat Muriqin, i cili është në formë të mirë në vitin 2019 me klubin dhe Përfaqësuesen, duke shënuar në katër ndeshje eliminatore”, thuhet fillimisht në njoftim.

“Goditje e madhe për Kosovën pasi Muriqi ka ‘torturuar’ mbrojtjen tonë me sprintat e tij. Rashica pritet të luajë në vend të tij”, shtoi më tej ‘Czech Football’.