Ndryshim i madh në “Kampionatin Botëror 2018”

162

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, shpreson se Kampionati Botëror 2018 në Rusi do të jetë gara e parë ku xhirimet do t’u ndihmojnë gjyqtarëve për t’i marrë vendimet vendimtare gjatë ndeshjeve.

Në mars, Bordi i Shoqatës Ndërkombëtare të Futbollit (IFAB) ka paralajmëruar se do ta testojë teknologjinë brenda një periudhe dyvjeçare për të ndihmuar vendimet si golat, kartonët e kuq, identitetin e gabuar dhe penalltitë. Kjo është caktuar të fillojë jo më vonë se sezoni 2017-18. Por, Infantino ka thënë se testimi duhet “të fillojë tani dhe do të zgjasë dy vjet”.

Zvicerani, i cili u zgjodh pasardhës i Sepp Blatterit në krye të Federatës Ndërkombëtare të Futbollit në shkurt, shtoi: “Kjo nënkupton se deri në mars të vitit 2018 ne do ta shohim nëse funksionon ose jo”.

“Vërtet shpresoj se Kampionati Botëror në Rusi do të jetë kampionati botëror i parë ku xhirimet do ta bëjnë gjykimin e ndeshjeve më të mirë”, theksoi ai. Në eksperimente një asistent i gjyqtarit kryesor do të ketë qasje tek xhirimet e përsëritura dhe pas një rishikimi me kërkesë nga kryesori, do ta njoftojë atë në lidhje me incidentin që mund të ketë kaluar pa u parë nga ata që janë në fushë.

Gjatë një vizite në Moskë, Infantino po ashtu tha se ka marrë garanci nga Qeveria e Rusisë se kriza ekonomike që ka prekur shtetin nikoqir nuk do të ndikojë tek përgatitjet për Botërorin e vitit 2018.