Ndihmoi Barçën me dy gafa, do arbitrojë edhe kundër Realit

90

Arbitri që do të gjykojë duelin midis Barcelonës dhe Realit të Madridit është Sanchez Martinez. Për të do të jetë hera e parë që i besohet një ndeshje kaq e rëndësishme, kur cilësohet edhe si një prej “bilbilave” me më shumë të ardhme në Spanjë.

Por, nuk kanë munguar edhe kritikat e ashpra për këtë zgjedhje. Vetëm më 20 mars, ai u kritikua ashpër për dy gafa skandaloze në gjykim, të cilat ndihmuan në mënyrë direkte Barçën. Në duelin midis Villarreali dhe katalanasve, i cili përfundoi në barazim 2-2, ekipi i Luis Enriques u favorizua në dy episode.

Në minutën e 23-të, Gerard Pique u rrëzua në zonë dhe i hoqi topin nga këmbët me dorë Denis Suarezit në mënyrë të qartë.

Penallti dhe minimalisht karton i verdhë për mbrojtësit, por Sanchez Martinez lejoi vazhdimin e lojës. Ndërkohë, në të 41-ën akordoi një 11-metërsh të paqenë në favor të Barcelonës.

Nejmar ishte përballë portierit Asenjo dhe në ndërhyrje ky i fundit i largoi topin. Rrëzimi i brazilianit nuk ishte faull, por këtë herë gjyqtari mendoi të kundërtën dhe drejtoi gishtin nga pika e bardhë. Menjëherë pas këtyre dy gafave do të arbitrojë sërish Barçën, madje kundër Realit…