Ndeshja e dekadës, aty ku luan edhe politika, aty ku luajnë të gjithë!

Kampionati elitar në vendin tonë nuk ka mbaruar ende dhe nëse i përcjellim me vëmendje ngjarjet e fundit të cilat kanë ndodhur krijohet iluzioni që vetëm sa ka nisur.

Përballja ndërmjet Prishtinës dhe Dritës po konsiderohet si njëri ndër duelet më të rëndësishëm të vitit dhe ndoshta të dekadës, pasi ka vite kur titulli nuk është diskutuar në javën e fundit, përtej saj, ndërmjet dy rivalëve pretendentë për ta fituar atë, shkruan Gazetasheshi.com.

Gjithçka nisi me kërkesën e Klubit Futbollistik “Prishtina” që kërkoi leje në Ministrinë e Sportit dhe Federatën e Futbollit të Kosovës për të luajtur në stadiumin e kryeqytetit, i cili ndodhet në renovim e sipër. Negociatat dhe diskutimet nuk kaluan pa akuza dhe kundër akuza, pavarësisht se MKRS mori vendim që ndeshja mos të luhet në stadiumin i cili po renovohet në kryeqytet.

Ishte klubi Prishtinas që akuzoi krerët e FFK-së për tendencë ndaj tyre dhe më pas ishin tifozëria “Plisat” që po ashtu akuzuan shtëpinë më të madhe të futbollit në vend.

I dorëzuar mbeti edhe Shpend Ahmeti, kryetari i Komunës së Prishtinës, i cili krahas kërkesës zyrtare të parashtruar me paraqitjet e tij në opinionin publik vazhdimisht kërkoi që ndeshja të luhej në kryeqytet.

Lokacioni vazhdon të mbetet enigmë në prag të sfidës së shumë pritur me “Shahin Haxhiislamin” në Pejë që është opsioni më i mundshëm, raporton Gazetasheshi.com.

Mbetet për tu parë hapat vijues të klubit kryeqytetas, ndërkohë që gjilanasit po e presin me qetësi ndeshjen e vitit dhe kanë paralajmëruar gatishmërinë e tyre për të luajtur në çdo stadium të mundshëm.

/Gazeta Sheshi/