Nderimi për Dritën

Anëtarësimi i Kosovës në UEFA ka nisur të sjellë freski në Superligën e Kosovës në futboll, e cila ka nisur paksa të “gjallërohet”. Kjo pasi futbollistë të famshëm shqiptarë po i marrin në konsideratë ofertat e klubeve kosovare, e madhe edhe po i pranojnë ato, shkruan sot, gazeta Zeri.

Derisa FC Prishtina muaj më parë solli në kryeqytet ish tre reprezentuesit e Shqipërisë me përvojë ndërkombëtare – Armend Dallkun, Debatik Currin e Ahmed Januzin – edhe Drita tashmë e ka bërë transferimin “bombastik” të janarit. Klubi gjilanas e ka zyrtarizuar transferimin në radhët e veta të futbollistit të shquar shqiptar, Nderim Nexhipit. “FC Drita ka arritur marrëveshje me mesfushorin ofanziv, Nderim Nexhipin. Nuk do të ndalemi këtu, befasitë do të vazhdojnë”, thuhet në njoftimin e skuadrës bardhekaltër.

32-vjeçari ka përvojë të madhe dhe klasi i tij është dëshmuar qysh moti. Mesfushori ofanziv është nga Maqedonia, por karriera e tij ka qenë e ndërlidhur edhe me Gjermaninë, Rumaninë, Belgjikën, Azerbajxhanin e mbi të gjitha me Shqipërinë. Gjatë karrierës së deritanishme, emri i Nexhipit është shkruar në protokollet e njëmbëdhjetë klubeve, kurse Drita është skuadra e dymbëdhjetë e tij.

Në Maqedoni ka luajtur për Sloga Jugomagnat, Rabotniçkin dhe Shkëndijën. Në Gjermani ka qenë shkurtimisht pjesë e Hertha Berlinit dhe Wolfsburgut, por ka luajtur edhe për Liersen e Belgjikës, Qarabagun e Azerbajxhanit, Vasulin e Rumanisë. Ndërsa, periudhë të gjatë ka kaluar në Shqipëri, ku ishte kapiten i Partizanit të Tiranës, pastaj ka luajtur për Flamurtarin e Vlorës ndërsa së fundmi ishte pjesë e Korabit të Peshkopisë, prej nga vjen në Gjilan te Drita.

Si i ri, Nexhipi ka luajtur edhe për ekipet e shpresave të Maqedonisë dhe e ka zhvilluar një paraqitje me Përfaqësuesen A të vendit fqinj. Si një futbollist me kombësi shqiptare, ai kishte tërhequr edhe vëmendjen e Kombëtares së Shqipërisë.  Skuadra e Ismet Munishit të premten e ka zyrtarizuar edhe Dren Gashin si përforcim.