Ndalohet një person si i dyshuar për falsifikim të dokumenteve të Gjykatës

80

Është ndaluar personi i dyshuar A. Z., nga komuna e Vitisë, për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale falsifikimi i dokumenteve.

Personi i dyshuar A. Z., me një aktvendim të Gjykatës Themelore në Gjilan, të cilin e ka falsifikuar, është paraqitur te kryetari i Gjykatës Themelore në Gjilan, Zyhdi Haziri, për të kërkuar disa gjëra siç janë: një Iphone 5, 190 euro, një kompjuter Pentium IV, të cilat janë konfiskuar më parë nga gjykata e Vitisë, si dhe një shumë të dëmshpërblimit prej 4.760 euro, në emër të kompensimit se kinse ka qëndruar në paraburgim pa bazë.

Gjatë kontrollimit të automjetit të dyshuarit A. Z., në automjet i janë gjetur edhe dokumente tjera siç janë: vendimi i Këshillit Gjyqësor i datës. 26 janar që dyshohet se është falsifikuar i nënshkruar nga Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor, Enver Peci; vendimi i Gjykatës Themelore në Gjilan, i datës 12 janar që dyshohet se është falsifikuar, në emër të kryetarit të Gjykatës themelore, Zyhdi Haziri; vendimi i Gjykatës themelore në Gjilan, i datës. 11 dhjetor të vitit të kaluar që dyshohet se është falsifikuar, në emër të Kryetarit të Gjykatës, Themelore të Gjilanit, Zyhdi Haziri; Certifikatë e notave të Universitetit “Hasan Prishtina”, në emër të D. Z., që dyshohet se është falsifikuar; vendimi i Gjykatës së Apelit PN.nr. i vulosur që dyshohet se është i falsifikuar.

Të gjitha këto vendime të falsifikuara përmbajnë të dhënat se duhet të kompensohet personi, djali i të dyshuarit A. Z., djali i tij D. Z., i cili më parë ka qenë i gjykuar me aktgjykimin e Gjykatës themelore në Viti për mashtrim, për shkak se në vitin 2014 në emër të dy ish- kryeprokurorëve, Ismet Kabashi dhe Sylë Hoxha, një person e ka mashtruar. Për këtë rast dyshohet edhe personi D. Z., nga komuna e Vitisë, i cili tani gjendet në arrati.

Prokuroria ka bërë kërkesë në Gjykatën Themelore në Gjilan për caktimin e masës së paraburgimit. /KosovaPress/