Napoli josh Icardin edhe me një… film për Wandën

Destinacioni i radhës për karrierën e Mauro Icardit vijon të mbetet mister. Përveç Juventusit, në garë për argjentinasin ka hyrë edhe Napoli.

“Arkitekti” i operacionit do të jetë vetë Aurelio De Laurentis, i cili mendon të bindë sulmuesin duke i propozuar, përveç pagës, edhe një rol për bashkëshorten në filmin e tij të radhës.

Presidenti i klubit jugor e ka pasur këtë plan që në vitin 2016 kur Juventusi i rrëmbeu për 90 milionë euro Gonzalo Higuainin. Edhe asokohe, De Laurentis premtonte se do të respektonte të gjithë parametrat ekonomikë, duke shtuar në ofertë edhe një rol për Wanda Narën në filmin e Krishtlindjeve që ai prodhon çdo vit.

Mes palëve pati edhe një takim që u zhvillua në Veronë, por pozicioni i Icardit nuk ndryshoi dhe ai mbeti kapiten i Interit. Tashmë letrat në tavolinë kanë ndryshuar, por oferta kinematografike ka të njëjtën rëndësi për bashkëshorten menaxhere të Ikardit, e cila mezi pret të tregojë talentin edhe në një fushë tjetër.

Më këtë propozim, De Laurentis synon të bindë 32-vjeçaren, e cila nga ana e saj do të duhet të sjellë Icardin në Napoli duke e larguar kështu nga “thonjtë” e “Zonjës së Vjetër”. Përveç blerjes së Icardit, De Laurentis do të fitonte në këtë mënyrë edhe një duel personal me Juventusin, që përveçse në kampionat, është një rivale e urryer edhe në tregun e futbollistëve.

Ikardi-Vanda

ATLETICO

“Kur dy grinden, gëzon një i tretë”, thotë një shprehje popullore. Ky përfitues mund të jetë Atletico e Madridit, që duket se do të hidhet në sulm për Mauro Icardin. Klubi nga kryeqyteti spanjoll i ka kompromentuar përfundimisht marrëdhëniet me Diego Costën, boshllëkun e të cilit synon ta mbushë pikërisht me sulmuesin e Interit. Spanjollët nuk kanë nisur ende asnjë bisedim zyrtar, por me Icardin e grumbulluar në Lugano mund të rriten shanset për një transferim në Madrid.

Sulmuesi do të kuptojë qëllimet e Contes dhe mund të bindet për largimin, ndaj, përveç Juves dhe Napolit, mund të ketë një mundësi të tretë për të vijuar karrierën.