Mustafa: Veturat po i djegin ata që janë ‘mjeshtër’ të molotovëve

96

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i ftuar në emisionin “Monitor” në transmetuesin publik, ka folur për zhvillimet e fundit politike në vend dhe brenda LDK-së, të cilën ai e drejton.

Ai tha se makinat po i djegin ata që janë mjeshtër të molotovëve, në çadrat dhe zyrat e të cilëve janë gjetur shishe të Molotovit.

“Ata që kanë hedhur Molotov në Parlament dhe kanë dashur t’ia vënë flakën. Dihet se kush po i bën ato. Kush është mjeshër i molotovëve, në zyrat e kujt janë gjetë dhe në çadrat e kujt janë gjetë ato. Ato duhet të distancohen nga këto sulme”, tha Mustafa.

Mustafa theksoi se LDK-ja është në fokus të sulmeve dhe linçimeve pasi është parti e fuqishme dhe ka ndikim në vend, derisa vlerësoi se askush nuk mund ta akuzojë LDK-në se i përmbahet marrëveshjeve që ka arritur me parti të tjera.

“Partitë e dobëta që s’kanë rol nuk i sulmon askush. Pra mirren me LDK-në, pasi LDK është e fuqishme”, tha Mustafa.

Ndërsa, procesin e zgjedhjes së Hashim Thaçit president, Mustafa tha se procesi ka qenë transparent dhe LDK-ja i është përmbajtur marrëveshjes së koalicionit. /KosovaPress/