Mustafa: Opozita lirisht t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese

73

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa thotë se nuk e kanë biseduar akoma me partnerët e koalicionit për zëvendësimin e Hashim Thaçit në pozitat në ekzekutiv ndërsa tha se nuk ka bërë asnjë lloj presioni ndaj deputetëve të LDK-së për të votuar Hashim Thaçin për president.

Mustafa ka deklaruar se me bërjen e Thaçit president i janë shmangur zgjedhjeve dhe anarkisë.

Ndërsa opozitës i ka thënë se lirisht mund t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese nëse kanë ndonjë dilemë rreth zgjedhjes së presidentit.

“Nuk ka pasur asnjë lloj presioni ndaj deputetëve të LDK-së lidhur me atë se nëse ata do të duhej ta votonin Thaçin pas raundit të parë në ditën e zgjedhjes së të parit të vendit. Kështu u jemi shmangur zgjedhjeve dhe anarkisë”, ka thënë ai.

Këto komente kreu i ekzekutivit i bëri pas pjesëmarrjes në Forumin e Nivelit të Lartë “Siguria e Furnizimit me Energji Elektrike në Kosovë”. /lajmi.net/