Mustafa: Ne e bëjmë punën tonë, opozita le ta bëjë të veten

124

Kryeministri Isa Mustafa është pyetur edhe sot në lidhje me kërkesat e tri partive opozitare, sa i përket anulimit të marrëveshjes për krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe Demarkacionin me Malin e Zi.

Mustafa kësaj radhe nuk i bëri ftesë opozitës për të dialoguar, e as nuk tha që do të heq dorë nga këto marrëveshje.

Ai tha se Qeveria është duke bërë punë të mirë. Ndërsa, për opozitën tha se le ta bëjë punën e vet.

“Ne po bëjmë punën tonë këtu, një punë të shkëlqyeshme, po mundohemi t’i zgjedhim problemet e qytetarëve, prandaj edhe opozita do ta bëj punën e vet”, tha Mustafa.

Këto komente ai i bwri gjatë një vizite që pati në Komunën e Obiliqit, ku bashkë me kryetarin e kësaj komune Xhafer Gashin, kanë folur për problemet që ka kjo komunë, e që sipas tyre janë të shumta, duke filluar nga infrastruktura e deri te energjia elektrike.

Për zgjedhjen e problemeve, kryeministri Isa Mustafa ka ofruar mbështetjen e Qeverisë, pasi që me këto probleme komuna nuk mund të merret e vetme duke thënë se këto probleme do të mundohen t’i zgjidhin edhe përmes ligjit për Komunën e Obiliqit.

Kryeministri i vendit pas takimit në një deklaratë për media, është shprehur se Komunës së Obiliqit i duhet përkrahje më e madhe nga Qeveria dhe institucionet tjera, pasi që kjo është zonë industriale.

Mustafa madje ka përmendur edhe çështjen e zhvendosjes së banorëve të disa fshatrave të kësaj komune, duke thënë se do të bëjnë përpjeke që të përkrahin komunë në zgjidhjen e problemeve, pasi që e vetme ajo nuk mund t’i zgjidh.

I pari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, ka treguar që në këtë takim ka njoftuar kryeministrin dhe ministrat për problemet me të cilat po përballet dhe e gjitha kjo për shkak të industrisë. Edhe Gashi ka treguar që është biseduar për problemet e fshatit Dardhishtë, Hade dhe fshatra tjera të kësaj komune.

Në kuadër të vizitave, i pari i Qeverisë së Kosovës, së bashku me ministrat e kabinetit, ka vizituar edhe Korporatën Energjetike të Kosovës, ku u taku me drejtorin e KEK-ut, Arben Gjukaj./KosovaPress/