Mustafa: Ministrat e rinj do te caktohen gjate kesaj jave

81

Kryeministri Isa Mustafa edhe njëherë i tha jo kërkesës së opozitës së bashkuar për zgjedhje të parakohshme. Ai tha se shumë shpejt do të takohet me kryetarin e Kuvendit, që tash është edhe udhëheqës i partisë me të cilën Mustafa është në koalicion, Kadri Veseli, për të parë mundësinë e një dialogu me opozitën.

Mustafa po ashtu tha se brenda kësaj jave do të bëhen publik emrat e ministrave të rinj, pas rikonfigurimit të kabinetit qeveritar, si pasojë e shkuarjes së Hashim Thaçit nga posti i ministrit të jashtëm dhe zëvendëskryeministrit.

Këto qëndrime Mustafa i bëri të ditur pas takimit që kishte me Ministren e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami. Përveç Mustafës, në takim me Bajramin mori pjesë edhe Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi.

“Rikonfigurimi do të bëhet shpejt. Unë pres që brenda kësaj jave ne të kemi emrat sa i përket zëvendësimeve që ndodhin si rezultat i shkuarjes së zotit Thaçi për president të vendit. Në vazhdimësi do të shohim performancën e çdo ministrie, e çdo ministri në mënyrë që karshi vlerësimit të performancës, pastaj të vlerësojmë se a ka nevojë të bëjmë ndërhyrje të tjera. Sa i përket emrave konkret, unë e lë që ajo të bëhet e marrëveshje me partnerin e koalicionit . Mendoj që do të jetë zgjidhja më e mirë është që edhe ne të presim, por edhe ju. Po ashtu, jemi marrë vesh me kryetarin e Kuvendit, që tani është edhe udhëheqësi i Partisë Demokratike, që ditët në vijim të ulemi bashkërisht të shohim dhe ta hapim mundësinë e dialogut me opozitën. Të bisedojmë për çështje që opozitën e preokupojnë. Sepse interesi është që të punojmë bashkë, që Kuvendi të punojë në mënyrë normale nuk shoh asnjë arsye që të vazhdon situate kështu edhe që të kemi pengesë të punës së Kuvendit. I kemi përjashtuar moti, kështu që nuk janë tema që diskutohen”, tha Mustafa.