Mustafa: Kosova e përkushtuar për bashkëpunim me Shqipërinë

74

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti në takim kryetarin e Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, ku u bisedua për zhvillimet e përgjithshme në dy vendet, si dhe për bashkëpunimin dhe relacionet shumë të mira, në të gjitha nivelet, ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.

Mustafa e njoftoi kryetarin Basha për progresin e gjithanshëm në Kosovë, me theks të posaçëm në zhvillimin ekonomik, avancimin e proceseve integruese evropiane si dhe fuqizimin e shtetit ligjor.

Sipas një komunikate të Qeverisë së Kosovës, Mustafa e falënderoi Republikën e Shqipërisë dhe të gjithë faktorët institucional, politik dhe shoqëror të saj për përkrahjen dhe bashkëpunimin, duke shprehur njëkohësisht përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për fuqizimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dhe partneritetit ndërmjet dy vendeve.

Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, vlerësoi lartë progresin e arritur në Kosovë, duke shprehur konsideratat e tij maksimale për lidershipin dhe konsistencën e Qeverisë së Kosovës në avancimin e proceseve zhvillimore.

Kryetari Basha, po ashtu, shprehu përkrahjen dhe përkushtimin për proceset e mëtejshme në Kosovë si dhe për fuqizimin e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve./KosovaPress/