Musolli i Gjilanit vetëm pas Evropës, futbollisti mbetet përkohësisht te Kukësi

Besar Musolli është “telenovela” më e përfolur në dy vitet e fundit të çdo afati kalimtar në Kosovës. Futbollisti llapjan lidhet ngushtë me një transferim të mundshëm te klubi i Gjilanit, i cili prej kohësh i’a ka hapur dyert ish-reprezentuesit të Kosovës.

Por, cila është situata?!

Gazeta “Sheshi” prej kohësh kishte raportuar që në parim ekziston një akord ndërmjet futbollistit dhe klubit gjilanas, por kontrata e mbanë atë të impenjuar edhe më tej me Kukësin, këtë herë deri në përfundim të ndeshjeve kualifikuese të Ligës së Evropës.

Futbollisti u’a ka bërë të qartë presidentit Safet Gjici dhe kryetrajnerit Skender Gega se dëshiron të mbyll aventurën në kampin verilindor dhe të rikthehet në Kosovë, kjo edhe për arsye familjare.

Por, meqenëse Musolli llogaritet si një futbollist tejet i rëndësishëm për klubin, pas tetë viteve të kaluara te kjo skuadër, drejtuesit e klubit kanë insistuar në vazhdimin e bashkëpunimit.

Në anën tjetër, Sport Club “Gjilani” ka tentuar që ta regjistrojë futbollistin para mbylljes së afatit kalimtar të verës, duke tentuar që ta ketë sa më shpejtë në organikën e vet, mirëpo bisedimet me përfaqësuesit e Kukësit nuk kanë rezultuar të suksesshme dhe nga takimi është dalur pa marrëveshje, kështu të paktën thonë disa burime jozyrtare brenda kampit gjilanas për Gazetën “Sheshi”.

Gjilani ende nuk e zotëron kartonin e futbollistit, i cili vazhdon të stërvitet me Kukësin në prag të sfidës eleminatorie në Ligën e Evropës ndaj Wolfsburg më 17 shtator.

Në rast të disfatës eventuale të nënkampionëve të Shqipërisë, atëherë Musolli do të jetë futbollistë i lirë dhe në bazë të statutit të futbollistëve profesionist që mbesin pa kontrata ai mund të regjistrohet si futbollist i lirë te Gjilani.

/Gazeta Sheshi/