Musa Selimi mesazh për skudrat e Ipko Superligës

Trajnerët jashtë Kosovës po e “vërshojnë” çdo ditë e më shumë IPKO Superligën e Kosovës në futboll.

Aktualisht pesë skuadra elitare drejtohen nga trajnerët që vijnë nga Shqipëria, Maqedonia dhe Italia. Ndërsa skuadra e gjashtë, Gjilani, drejtohet nga trajneri që është nga Lugina e Preshevës, Sadat Pajaziti.

Trajneri i njohur dhe njohësi i mirë në sportin e Kosovës, Musa Selimi, ka thënë se ardhjet e këtyre trajnerëve e pasurojnë futbollin por, sipas tij, klubet duhet më shumë t’u besojnë trajnerëve dhe futbollistëve vendës.

“Normalisht se e kanë pasuruar dhe e kanë shtuar konkurrencën në futbollin e Kosovës, por jam ithtar i asaj që t’u besohet më shumë trajnerëve dhe futbollistëve vendorë”, ka thënë Selimi “për “Epokën e re”, që me sukses në të kaluarën ka drejtuar disa skuadra të futbollit.

Musa Selimi, që është edhe dekan në Fakultetin e Kulturës Fizike dhe Sportit, ka folur edhe për garën për titull të kampiones në elitën e futbollit. Ai ka veçuar tri skuadrat e para si favorite, kurse për Kupë i sheh favorite vetëm Prishtinën dhe Feronikelin.

“Për titull deri në fund do të luftojnë Prishtina, Feronikeli dhe Llapi, ani pse kjo skuadër është pak mbrapa me pikë karshi dy skuadrave të para. Ndërsa për Kupë favorite janë Prishtina dhe Feronikeli. Edhe në pranverë do të kemi një sezon shumë interesant në futboll”, ka deklaruar ai.

Musa Selimi në të kaluarën i ka drejtuar Dritën, Feronikelin, Gjilanin, KEK-un dhe Ramiz Sadikun, kurse ofertat për këtë trajner nuk kanë munguar asnjëherë, por angazhimet e tij në fakultetet dhe në Federatën e Sporteve Universitare të Kosovës kanë bërë që “Profa” t’u thotë jo këtyre ofertave.