Murseli zbulon objektivin e madh të Dritës

921

Pas përfundimit të edicionit të kaluar, futbollistët nisën ta braktisin Dritën, e cila nuk dukej “e gjallë”, gjë që shkaktoi panik dhe frikë te tifozët e saj të zjarrtë, “Intelektualët”.

Mirëpo, situata ndryshoi me të madhe vetëm brenda dy-tri ditësh. Këto ditë klubi bardhekaltër ua hapi dyert dy investitorëve të rinj: Valon Murselit e Flamur Bunjakut.

Drita rifreskoi edhe kryesinë, kryetar i së cilës u emërua Murseli.

Ky i fundit me bashkëpunëtorë fillimisht i blinduan futbollistët që ende nuk u kishin ikur, duke i vazhduar kontratat me Artan Latifin, Blerti Rashitin, Arlind Shaqirin, Taulant Halitin, Florim Berishën, Almedin Muratin, Muhamet Huruglicën, Durim Baxhukun, Florent Byqmetin, Erblir Avdiun e të tjerë.

13776034_830589203738160_2413851304382497839_n-696x442

Njëkohësisht, në Gjilan transferuan disa futbollistë të njohur e mjaftë cilësorë, si: Semir Zenelin, Alban Dragushën, Viktor Kukën, Alban Mavriqin, Petrit Osmanin e Toni Salihun.

Në këtë mënyrë, Drita brenda dy-tri ditësh u bë me ekip të fortë. Por, kryetari i saj, Valon Murseli, thotë se nuk do të ndalet me kaq. Paralajmëron edhe përforcime të tjera, mbi të gjitha punë të madhe në Dritë, drejt ngritjes së këtij klubi në majat e futbollit kosovar.

“Është e vërtetë se me ardhjen time dhe zgjedhjen e stafit të ri, klubi ka filluar një epokë të re. Ne jemi duke u munduar t’i identifikojmë të gjitha problemet që i kemi dhe t’i rregullojmë me mundësitë që kemi”, thotë Murseli për “Zërin”.

“I kemi bërë disa transferime, mirëpo skuadra ende nuk është kompletuar. Se sa përforcime do t’i bëjmë në total, nuk mund të them asgjë, sepse disa lojtarë po testohen, kurse trajneri do të vendosë”, u shpreh ai.

13700184_830552387075175_3906400591833027507_n-696x447

Drita, begatia e Superligës

Drita tashmë ka nisur të ngjitet në nivele më të larta, për çka më së miri tregojnë përforcimet cilësore që po i bën, në prag të edicionit të ri.

Mirëpo, Valon Murseli nuk përmend synime, si titull apo Kupë, për edicionin e ri, ndonëse Drita tashmë nga të tjerët po konsiderohet si një kandidate e mundshme për trofe.

Investitori i ri ia lë kohës ta tregojë suksesin e Dritës, por ajo çka e përmend pa hezitim, është vendosmëria e tij dhe e bashkëpunëtorëve për ta bërë Dritën një klub të madh.

“Ne jemi të fokusuar te futbolli vendor, ngritja e kapaciteteve dhe zhvillimi i Akademisë është objektivi ynë kryesor. Kemi gjetur mirëkuptimin e trajnerit dhe stafit, andaj projektin tonë do ta zhvillojmë bashkërisht”, theksoi ai.

viki

“Stafi ka pavarësi të plotë në aspektin profesional, e mbi të gjitha përkrahjen tonë”, tha Murseli.

Ai planifikon punë afatgjate në Dritë, e jo veç “sot për nesër”. “Projekti që kemi me Dritën është afatgjatë. Dëshiroj t’i falënderoj gjithë qytetarët e Gjilanit për përkrahjen e madhe në veçanti tifozët numër 1 në Kosovë, ‘Intelektualët’. Drita është klub me traditë dhe forca e saj begaton Superligën e Kosovës”, përfundoi Murseli, duke mos e fshehur kënaqësinë e tij që zemra e tij ka marrë ngjyrat bardhekaltër.