Muriqi “ndan” drejtuesit e Fenerbahces

Sulmuesi kosovar Vedat Muriqi ka ndarë në dy grupe drejtuesit e Fenerbahçes, ka shkruar të enjten gazeta e njohur turke Hurriyet.

Njëri grup i drejtuesve vlerëson se Muriqi duhet të shitet në verë për të siguruar fonde për të transferuar lojtarë të tjerë për edicionin e ardhshëm.

Ndërkohë grupi tjetër ka rezerva të mëdha në këtë ide, duke vlerësuar se Muriqi ende nuk ka arritur vlerën maksimale të tij.

Në fakt Muriqi ka shkëlqyer në pjesën e parë të edicionit në Superligën e Turqisë në futboll. Në pjesën e dytë ka shfaqur më pak.

Po ashtu vlerësohet se tregu i lojtarëve do të goditet fuqishëm nga koronavirusi dhe ky mund të jetë një faktor tjetër që mund të ndikojë në mbetjen e Muriqit te Fenerbahçe. Gjendjen e tij janë duke e përcjellë klube të ndryshme evropiane, sidomos nga Anglia.

Ai ka 15 gola e gjashtë asistime në 28 ndeshjet e këtij edicioni.