Munishi flet për treshen e Ballkanit, tregon se në cilat kampionate mund të transferohen

Trajneri i Ballkanit, Ismet Munishi ka folur për lëvizjet që pritet të bëhen nga futbollistët e këtij klubi. Përqendrimi ishte në të ardhmen e futbollistit Blendi Baftiu për të cilin trajneri Munishi tha se ka një karakter fisnik dhe se ka oferta serioze nga Austria dhe Turqia e shtoi se vendimi i takon atij dhe familjes së tij.

Munishi në RTV Dukagjini ka folur për të ardhmen e njërit prej më të përfolurve të këtij sezoni, sulmuesit Blend Baftiu.

Ai ka thënë se Blendi duhet të zgjedh skuadrën që i përshtatet karakterit të tij.

“Talentin e Blendit në fushë e kanë parë të gjithë. Unë kam zbuluar se ka një karakter shumë fisnik. Kam pasur shumë kujdes në sjelljet ndaj tij. Ndoshta karakteri i tij e ka penalizuar në skuadrat paraprake. Ai nuk ka dëshirë komunikimin e vrazhdë. Suhareka e ka pritur shumë mirë për atë arsye ka pasur sukses”, tha Munishi.

Munishi thotë se Blendi ka oferta nga Austria dhe nga dy klube turke.

“Ai do të vendos së bashkë me familjen. Nëse neve na kërkohet ndonjë këshillë ne do të japim ato këshilla. Sigurisht menaxherët e tij e kanë promovuar jashtëzakonisht mirë sidomos para skuadrave evropiane. Është shumë e mundshme që Blendi të kalojë në Austri por është shumë e mundshme që ai të kalojë edhe në Turqi pasi ka dy oferta konkrete”.

Trajneri i KF Ballkanit thotë se edhe për Arbër Hoxha dhe Jetmir Topallin ka oferta nga klubet e jashtme.

“Nga Kroacia janë interesuar për Jetmir Topallin por unë nuk kam komunikim me menaxherët e tij. Ua kam dhënë numrin e tij për kontakte. Arbër Hoxha për momentin është i lënduar dhe nuk dua të shkojë jashtë pa u shëruar. Ai duhet të jetë i fuqishëm para se të transferohet jashtë”, deklaroi ndër të tjera Ismet Munishi.